Home / BOTA / Trump e Erdogan nuk janë “lideri më i preferuar” për kosovarët – “shpëtimi ekonomik” shihet te Gjermania (Foto)

Trump e Erdogan nuk janë “lideri më i preferuar” për kosovarët – “shpëtimi ekonomik” shihet te Gjermania (Foto)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka publikuar një anketë, në bazë të së cilës kancelarja gjermane, Angela Merkel, me rreth 53 për qind, është liderja më e preferuar e kosovarëve.

Por, sipas anketës, përcjell Telegrafi, pavarësisht faktit se SHBA-në e shohin si partner shumë të rëndësishëm, presidenti Donald Trump, vetëm për 17 për qind të kosovarëve është lideri më i preferuar.

“Kancelarja e Gjermanisë gëzon një popullaritet jashtëzakonisht të lartë ndërmjet qytetarëve kosovarë me 53.5%. Donald Trump, Presidenti i SHBA rangohet i dyti me 17.2%, ndërsa Rexhep Tayyip Erdogan Presidenti i Turqisë renditet i treti me 15.7%”, thuhet në anketë.

Dhe kur bëhet fjalë për Gjermaninë e kancelares Merkel, kosovarët gjithashtu këtë vend e kanë zgjedhur si partneri kryesor ekonomik i Kosovës, rreth 34 për qind e tyre.

Gjithsesi, nëse ka “dyshime” rreth shteteve dhe liderëve të ndryshëm, një organizatë ndërkombëtare mbetet ajo që më së shumti kanë “për zemër” kosovarët.

Bëhet fjalë për aleancën e NATO-s, e cila sipas anketës, 55 për qind e qytetarëve vlerësojnë se është organizata që e ka ndihmuar Kosovën më së shumti, që nga viti 1999.

Gjithashtu, siç thuhet tutje, 73 për qind e vlerësojnë pozitivisht rolin e NATO-s në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj për paqe.

Siç edhe mund të pritej, kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, 87 për qind e tyre konsiderojnë se presidenti i Rusisë, është lideri më i preferuar botëror.

Përveç këtyre, anketa e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS), me përkrahjen e Konrad Adenauer Stiftung (KAS), ka nxjerrë edhe disa të dhëna rreth tre nga shtetet të cilat vlerësohen si shtetet partnere të Kosovës në politikën ndërkombëtare.

Kështu, si shtete partnere janë cilësuar ato shtete të cilat e kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në sfera të ndryshme për të arritur objektivat e saj.

SHBA dhe Gjermania janë ranguar dy shtetet kryesore. Ndërsa Shqipëria, Italia, Kroacia dhe Turqia kanë shifra të përafërta.

Ndërsa befasi në këtë përgjigje është rangimi relativisht i ulët i Mbretërisë së Bashkuar, shtet i cili bazuar në trendin e përgjigjeve paraprake pritshmëritë do të ishin që shifra të ishte më e lartë se sa ajo aktuale.

Ndryshe, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), me përkrahjen e Konrad Adenauer Stiftung (KAS) ka publikuar anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës”.

Hulumtuesi i PIPS, Butrint Berisha, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka folur për rezultatet e anketës dhe metodologjinë e këtij hulumtimi.

Berisha ka thënë se hulumtimi është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës, duke përdorur metodën sasiore të hulumtimeve, duke përfshirë edhe komunat e banuara me serbë. /Telegrafi/

Shperndaje nese ke nje mik te mire...
Kosova Today News Reviewed by Shqipe Krasniqi on . Trump e Erdogan nuk janë “lideri më i preferuar” për kosovarët – “shpëtimi ekonomik” shihet te Gjermania (Foto) Trump e Erdogan nuk janë “lideri më i preferuar” për kosovarët – “shpëtimi ekonomik” shihet te Gjermania (Foto)Rating: 4.8