Alarmon IKShPK-ja: 336 raste me fruth në Kosovë, 37 vetëm gjatë javës së fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 336. Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK-ja, gjatë periudhës...
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 336.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK-ja, gjatë periudhës 16 prill – 15 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 336 raste me këtë sëmundje, prej të cilave 37 vetëm gjatë javës së fundit.
Rastet janë regjistruar në 24 komuna të Kosovës, ndërsa pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.
Shqetësues mbetet fakti se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
IKShPK-ja ka theksuar se vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj, pasi fruthi është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Institucioni ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Vetëm gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 120 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
IKShPK-ja u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të kontaktojnë ekipet shëndetësore në rast se ndonjë dozë është lënë pa marrë.
Po ashtu, për shkak të rritjes së rasteve, është rekomanduar kujdes i shtuar për fëmijët nën moshën 12 muajshe, të cilët ende nuk janë vaksinuar me MMR, duke shmangur ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.