“Beteja vazhdon”, Erjon Vishkulli jep lajmin pas ndërhyrjes kirurgjikale
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë një përditësim të ri për gjendjen e tij shëndetësore. Përmes një postimi në Instagram, ai ka publikuar një fotografi nga shtrati i...
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë një përditësim të ri për gjendjen e tij shëndetësore.
Përmes një postimi në Instagram, ai ka publikuar një fotografi nga shtrati i spitalit, duke njoftuar se ndërhyrja kirurgjikale që iu nënshtrua sot ka përfunduar me sukses.
“Ndërhyrja sot kaloi me sukses. Por beteja vazhdon…”, ka shkruar Vishkulli, duke zbuluar se rrugëtimi i tij drejt rikuperimit ende nuk ka përfunduar.
Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme e pret një tjetër operacion, të cilin e konsideron ndoshta më të rëndësishmin deri më tani, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin e tij.
“Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë!”, është shprehur ai.
Në fund të mesazhit, 28-vjeçari ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë, duke kërkuar forcë nga Zoti për të përballuar sfidat që e presin.
Kujtojmë se Vishkulli u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë përplasjeve në protestën e mbajtur në Tiranë, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ai u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.