JETA

Një ditë në botën e të rriturve, dita e së ardhmes në Zvicër

Kosova.Today ·

Një nga ditët kur mësuesit mund të marrin frymë pak më lirshëm është edhe Dita e së Ardhmes, e njohur në Zvicër si „Nationaler Zukunftstag“.   Kjo ditë daton që nga viti 2001 dhe organizohet tradicionalisht të enjten e dytë të muajit...

Një nga ditët kur mësuesit mund të marrin frymë pak më lirshëm është edhe Dita e së Ardhmes, e njohur në Zvicër si „Nationaler Zukunftstag“.

Kjo ditë daton që nga viti 2001 dhe organizohet tradicionalisht të enjten e dytë të muajit nëntor. Këtë vit, ajo shënohet më 12 nëntor. Në këtë ditë, nxënësit nga klasa e pestë deri në klasën e shtatë vërshojnë kompanitë, dyqanet, hotelet, zyrat dhe kantieret e ndërtimit. Fëmijët kanë mundësinë të shohin nga afër se si zhvillohet një ditë pune në një bankë, të kalojnë një ditë në një hotel apo të njihen me punën në një kantier ndërtimi.

Në shumë raste janë vetë prindërit ata që i marrin fëmijët me vete për t’u treguar se ku dhe si punojnë babai apo nëna. Në raste të tjera, prindërit ose mësuesit u sigurojnë fëmijëve një vend ku mund ta kalojnë këtë ditë.

Në disa raste, fëmijët kanë mundësinë të kryejnë edhe punë të vogla praktike, të cilat ua lejon mosha, për ta përjetuar nga afër profesionin që kanë zgjedhur, qoftë edhe vetëm për një ditë. Qëllimi i kësaj dite është që fëmijët të fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre, të zbulojnë aftësitë dhe interesat personale dhe të kuptojnë rëndësinë e çdo profesioni, pa përjashtim.

Për lexuesit tanë, këtë vit patëm mundësinë të shohim nga afër dhe të bisedojmë me dy nxënës të kësaj moshe, të cilët kishin zgjedhur profesione krejt të ndryshme.

Njëri prej tyre është Domenik Peretten.

Ai është vetëm 11 vjeç dhe këtë vit, Ditën e së Ardhmes, kishte zgjedhur ta kalonte në kantierin e ndërtimit të një hoteli me pesë yje në Gstaad të Bernës. Nën mbikëqyrjen e kompanisë Bauwerk AG, Domenikut iu dhanë disa detyra të vogla. Kështu, për një ditë, ai kaloi nga banka e shkollës në rolin e një muratori të vogël.

„Më pëlqen këtu“, u përgjigj Domeniku kur e pyeta se si i dukej puna në kantier.

I pyetur nëse në të ardhmen do të mendonte ta zgjidhte këtë zanat dhe të bëhej murator, Domeniku u përgjigj: „Po, është një profesion i mirë. Mua më pëlqejnë edhe makineritë që përdorin punëtorët në ndërtim. Ndoshta në të ardhmen do të merrem me këtë punë.“

Ai vazhdoi të më tregonte se në shtëpi kishte edhe një vinç prej LEGO-s, të cilin e modifikonte sipas dëshirës së tij.

Ndërsa Domeniku i vogël kishte zgjedhur ta kalonte këtë ditë në një kantier ndërtimi, Rejana Agushi, po ashtu vetëm 11 vjeçe, që në mëngjes priste para dyerve të një kompanie që merret me arkitekturë dhe patundshmëri. Ajo kishte zgjedhur diçka më elegante. Ditën e kaloi në zyrat e një kompanie të patundshmërive, duke vizatuar, studiuar dhe shikuar projekte të ndryshme me të cilat merrej kompania.

Asaj i ishte vënë në dispozicion edhe një kompjuter, ku pati mundësinë të projektonte një shtëpi sipas dëshirës së saj. Shtëpinë e ëndrrave.

Kur e pyetëm nëse i kishte pëlqyer kjo përvojë, ajo u përgjigj: „Po, më ka pëlqyer shumë. Ishte shumë qetësi aty. Edhe unë kam vizatuar një shtëpi sipas dëshirës sime.“

Edhe pse vetëm 11 vjeçe, Rejana dukej sikur e kishte një ide të qartë se në çfarë drejtimi dëshironte të ecte.

„E dua këtë drejtim. Dua të vizatoj plane“, tha ajo kur e pyetëm nëse do t’i pëlqente që në të ardhmen ta vazhdonte shkollimin në këtë drejtim.

Në një moshë të tillë, padyshim që fëmijët ende nuk mund ta dinë me siguri se çfarë rruge do të ndjekin në jetë, nga viti në vit gjërat ndryshojnë. Por mjafton që të mendojnë, të eksplorojnë, të provojnë dhe ta shohin botën e profesioneve me një sy tjetër.

Këtë ditë, edhe qyteza jonë dukej disi ndryshe. Në kohën e drekës, në restorantin e Coop-it, dikush që mezi dukej përtej banakut mundohej të na shërbente. Ishte një tjetër fëmijë që, për një ditë, kishte marrë rolin e një punonjësi në restorant.

Diku një murator i vogël, diku një arkitekte e ardhshme, e diku tjetër një kamerier që mësonte si t’u shërbente klientëve.

Kjo është bukuria e Ditës së së Ardhmes. Fëmijëve nuk u kërkohet të vendosin sot se çfarë do të bëhen nesër. Atyre u jepet mundësia të provojnë, të pyesin dhe të ëndërrojnë.

The post Një ditë në botën e të rriturve, dita e së ardhmes në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Arrestohen dy persona pas zjarrit në qendrën federale të azilit në Cyrih

10.11.2026

Imami Bashkim Aliu jep dorëheqje pas zbulimit të deklaratave homofobike

10.11.2026

Zvicra lejon ukrainasit me statusin S të vazhdojnë udhëtimet jashtë vendit

11.11.2026

Pse po shtrenjtohen biletat e avionit nga Zvicra? Paralajmërohen rritje deri në 20 për qind

10.11.2026