Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, nis procesi i identifikimit përmes ADN-së
Mbetje mortore janë gjetur sot në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, ku po zhvilloheshin kërkime dhe gërmime vlerësuese në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Sipas...
Mbetje mortore janë gjetur sot në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, ku po zhvilloheshin kërkime dhe gërmime vlerësuese në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Megjithatë, gjatë ditës së parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite.
Pas vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Policisë së Kosovës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë, përkatësisht Departamentit për Krime Lufte.
Komisioni ka bërë të ditur se trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me institucionet kroate për personat e zhdukur gjatë luftës, si dhe bashkëpunimin me familjet e të zhdukurve dhe qytetarët që kanë ofruar informacione të rëndësishme.
Identiteti i personave, të cilëve u përkasin mbetjet mortore, pritet të përcaktohet pas përfundimit të procedurave të ekzaminimit dhe analizës së ADN-së.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.