JETA

“Për Kosovën Republikë” i Enver Dugollit promovohet mes studentëve në ETH Zürich

Kosova.Today ·

Në ambientet e ETH Zürich u promovua libri “Për Kosovën Republikë” i autorit Enver Dugolli, një vepër që sjell kujtime, dëshmi dhe përjetime personale nga burgosja politike dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës. Takimi u organizua nga...

Në ambientet e ETH Zürich u promovua libri “Për Kosovën Republikë” i autorit Enver Dugolli, një vepër që sjell kujtime, dëshmi dhe përjetime personale nga burgosja politike dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës.

Takimi u organizua nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Cyrih, në bashkëpunim me GESS Who!, shoqatën studentore të shkencave humane, politike dhe shoqërore në ETH Zürich. Ai bëri bashkë studentë, ish-të burgosur politikë dhe pjesëmarrës të tjerë, duke krijuar një hapësirë bashkëbisedimi për historinë dhe domethënien e lirisë.

Në hapje, përfaqësuesit e studentëve, Idlir Begalla dhe Hana Syla, prezantuan bashkëpunimin mes dy shoqatave dhe nismën e klubit të leximit “Vargje të lira”. Përmes leximit dhe diskutimeve, kjo nismë synon të ndërthurë gjuhën dhe kulturën me jetën akademike, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe të përvojave.

Hana Syla tregoi se lidhja me historinë e rrëfyer në libër ishte krijuar edhe gjatë një udhëtimi studimor në Kosovë. Gjatë vizitës në Muzeun e Burgut të Idealëve në Prishtinë, një grup studentësh të GESS Who! kishte takuar Enver Dugollin dhe Shemsi Sylën. Përballja me hapësirat e ish-burgut dhe dëshmitë e tyre e kishte bërë më të prekshme për studentët përvojën e represionit politik.

Dëshmi që duhen përcjellë te brezat e rinj

Duke folur për librin, Shemsi Syla, ish i burgosur politik, dhe mik i autorit të librit, theksoi se përjetimet e përshkruara në të mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga brezi i sotëm. Sipas tij, rrëfimet për burgosjen dhe represionin janë aq të rënda, sa lexuesi mund ta ketë të vështirë të besojë se ato kanë ndodhur vërtet.
Ai u ndal veçanërisht te mosha e re në të cilën Dugolli u përball me arrestimin dhe burgosjen, duke e lidhur përvojën e tij me sakrificën e një brezi për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve të Kosovës.

Syla nënvizoi gjithashtu nevojën që ish-të burgosurit politikë t’i shkruajnë përjetimet e tyre, duke lënë dëshmi për brezat që vijnë.

Një dimension tjetër të kësaj historie solli Nexhat Maloku, ish i burgosur dhe i cili foli për vështirësitë që i prisnin ish-të burgosurit politikë edhe pas lirimit. Ai shpjegoi se frika nga arrestimi i përsëritur, pamundësia për t’u punësuar dhe kushtet e rënda ekonomike i kishin detyruar shumë prej tyre të largoheshin nga Kosova.
Sipas Malokut, e kaluara si i burgosur politik bëhej pengesë për ndërtimin e një jete normale. Në këtë kontekst, ai shpjegoi edhe vendosjen e një numri të madh të ish-të burgosurve politikë në Zvicër.

Dugolli: Liria ishte ëndrra dhe ideali ynë

Në bashkëbisedimin me pjesëmarrësit, Enver Dugolli u ndal te besimi në ideal dhe këmbëngulja për ta ndjekur atë, edhe në rrethana kur realizimi i tij dukej i largët.
“Në atë kohë, liria e Kosovës ishte vetëm ëndrra dhe shpresa jonë. Arritja e lirisë ishte qëllimi, ëndrra dhe ideali ynë, por ajo nuk dukej askund në horizont”, u shpreh ai.

Autori theksoi se besimi duhet të shoqërohet me punë dhe vendosmëri, duke e lidhur këtë mesazh me përvojën e brezit të tij.
Në qendër të diskutimit ishte edhe mënyra se si njeriu arrin ta ruajë dinjitetin dhe lirinë e brendshme përballë izolimit. Në një fragment të librit, të sjellë gjatë hyrjes së takimit, Dugolli shkruan: “Ata më kishin burgosur trupin, por pa e vënë re po më armatosnin shpirtin”.

Promovimi në ETH Zürich krijoi kështu një urë mes dëshmitarëve të një periudhe të rëndësishme historike dhe studentëve që sot e njohin atë përmes librave, vizitave dhe rrëfimeve të drejtpërdrejta. Përmes “Për Kosovën Republikë”, përvoja personale e autorit u bë pikënisje për një diskutim më të gjerë mbi qëndresën, mërgimin dhe ruajtjen e kujtesës historike.

Gjatë bashkëbisedimit, studentët shqiptarë dhe ndërkombëtarë parashtruan pyetje të ndryshme, duke shfaqur interes për përjetimet e autorit dhe idealet që e kishin udhëhequr. Njëra prej tyre ishte nëse ai do të luftonte sërish për një ideal të tillë, siç ishte atëherë Republika e Kosovës. Studentët u interesuan gjithashtu se cilat këngë këndoheshin në burg dhe si e përballonin të burgosurit jetën e përditshme në izolim.

Mirishahe Hiler Limani

The post “Për Kosovën Republikë” i Enver Dugollit promovohet mes studentëve në ETH Zürich appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

SWR: “Pallati i Rinisë”” – Skena e muzikës së re në Kosovë

14.11.2026

“The Kosova Original Music Tour” vjen për herë të parë në Zvicër

12.11.2026

Municioni zviceran arrin në Rusi pavarësisht sanksioneve

15.11.2026

Cilat janë profesionet në Zvicër që do të përfitonin nga paga minimale prej 5 mijë frangash?

12.11.2026