Nafta ka rënë në nivelin më të ulët që nga muaji gusht, shpresat për fundin e luftës me Iranin po rrëzojnë çmimet
Çmimet botërore të naftës vazhdojnë të bien, ndërsa lloji referent evropian “Brent” ka arritur nivelin më të ulët që nga fundi i gushtit. Tregjet po reagojnë ndaj shpresave në rritje se konflikti midis SHBA-së dhe Iranit mund të përfundojë...
Çmimet botërore të naftës vazhdojnë të bien, ndërsa lloji referent evropian “Brent” ka arritur nivelin më të ulët që nga fundi i gushtit. Tregjet po reagojnë ndaj shpresave në rritje se konflikti midis SHBA-së dhe Iranit mund të përfundojë me një marrëveshje diplomatike, gjë që do të zvogëlonte rreziqet për furnizimin me energji nga Lindja e Mesme, përcjell INA.
Nafta “Brent” u tregtua sot nën 92 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane WTI lëvizte rreth 85 deri në 86 dollarë. Në seancën e mëparshme, “Brent” ra për 5.85 për qind, në 92.57 dollarë për fuçi, ndërsa WTI u lirua për 4.38 për qind, në 86.85 dollarë. Sipas “Reuters”, rënia vazhdon edhe sot, ku çmimi i “Brent” u ul për 1.7 për qind shtesë, në 90.99 dollarë për fuçi, ndërsa WTI ra në 85.20 dollarë.
Rënia është veçanërisht e madhe në ditët e fundit. Javën e kaluar, çmimi i “Brent” u ul për rreth 16 për qind, që është rënia më e madhe javore që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020. Shkaku kryesor i ndryshimit të atmosferës në tregje janë sinjalet nga Uashingtoni se SHBA-ja për momentin nuk do të ndërmarrë sulme të ja reja ushtarake kundër Iranit, nëse vazhdojnë bisedimet për përfundimin e konfliktit.
Trump deklaroi se sulmet e reja për momentin nuk janë të domosdoshme, megjithëse theksoi se forcat amerikane mbeten të gatshme nëse situata ndryshon. Këto deklarata rritën pritshmëritë se mund të arrihet një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit, gjë që do të zvogëlonte rreziqet për transportin e naftës përmes ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme botërore për furnizimin me energji.
Megjithatë, rreziqet nuk janë shmangur plotësisht. Sulmet ndaj anijeve në rajon vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim, ndërsa analistët paralajmërojnë se çmimet përfundimisht më të ulëta do të varen nga një marrëveshje konkrete diplomatike dhe normalizimi i trafikut detar.
Edhe pse nafta është liruar ndjeshëm në bursat botërore, kjo nuk do të thotë se konsumatorët do ta ndiejnë menjëherë rënien e çmimeve në pikat e karburantit. Çmimet me pakicë varen edhe nga kursi i dollarit, kostot e transportit dhe përpunimit, rezervat, taksat dhe akcizat, si dhe nga koha e nevojshme që lënda e parë më e lirë të reflektohet te çmimet e derivateve të gatshme.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.