“Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës nul”, Petro Koçi: Lajm do ishte përjashtimi i ndonjë të korruptuari
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste pas Asamblesë së të shtunës. Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Koçi e cilëson të pavend dhe të dëmshëm...
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste pas Asamblesë së të shtunës.
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Koçi e cilëson të pavend dhe të dëmshëm përjashtimin nga forumet e Partisë Socialiste të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Sipas tij, përjashtimi i tyre është një akt nul, pasi statuti i partisë qëndron mbi kryetarin.
Postimi i plotë i Petro Koçit
Modestisht për Asamblenë:
Lajmi më i mirë e ndoshta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Kociut në drejtimin e PS për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS, përfaqësojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit.
Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen, përbëjnë ndoshta kapitalin njerëzor më të arrirë, nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për kryetar bashkie në garën e zgjedhjeve vendore që po troket.
Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkan përjashtuar nga forumet e PSSH. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se Kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm. Përndryshe, koncepti institucional parti shkërmoqet.
Është e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist. Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë në një pjesë të tyre nga mënyra sesi ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Unë thjesht arsyetoj me supozime.
Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe dëmprurës.
PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë.
Në fund të fundit, Elisa nuk është Marjana Koçeku, për përzgjedhjen e së cilës nuk mbajti askush përgjegjësi.
Rasti i Plarentit është edhe më pa kuptim. E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e një procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të Pleniumeve të PP.
Përjashtimi nga forumet me rastin e të shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht, ai nuk validohet dot.
Statuti është shumë i qartë me kësi rastesh.
Në bazë të Statutit, deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do të çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi.
Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit, të paktën përkohësisht, i personave ndaj të cilëve ka filluar proces penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë.
Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në Facebook në grupe ku disa përbetohen për Kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë që mallkojnë Kryetarin e lëvdojnë kritizerët.
Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS.
Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike.
Por fenomenet e dhunës e plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e komprometuan përkrahjen popullore.
Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë.
Ndërkohë, protestës i mungon vizioni dhe lidershipi.
Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës.
Përmbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Protesta i ka arritur disa suksese: ulja e TVSH-së për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj.
Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë, si p.sh. rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave etj.
The post “Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës nul”, Petro Koçi: Lajm do ishte përjashtimi i ndonjë të korruptuari appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.