KOSOVA

Protestë gjithëkombëtare për Arlinda Zekajn, organizatorët parashtrojnë gjashtë kërkesa për institucionet

Kosova.Today ·

Në Prishtinë do të mbahet sot protesta e radhës për drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra në mënyrë makabre në Pejë. Organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna. Protesta do të nisë...

Në Prishtinë do të mbahet sot protesta e radhës për drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra në mënyrë makabre në Pejë. Organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u ka bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet që t’i bashkohen marshit gjithëkombëtar.

Sipas organizatorëve, vrasja e Arlindës ka nxjerrë në pah dështimet e zinxhirit institucional, i cili, në vend që t’i mbrojë gratë që kërkojnë ndihmë, i lë ato të pambrojtura përballë rrezikut.

“Vrasja e saj, si dhe reagimi shtetëror, e kanë vendosur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, të cilën mund ta kalojmë vetëm me përgjegjësi shtetërore dhe duke garantuar se jeta e grave merret seriozisht”, thuhet në thirrjen e Kolektivit.

Organizatorët theksojnë se marshimi synon të kërkojë drejtësi për Arlindën dhe shpalljen e femicidit si urgjencë kombëtare.

Gjashtë kërkesat e organizatorëve

Përmes protestës, organizatorët kanë bërë publike gjashtë kërkesat drejtuar institucioneve të Kosovës:

1. Shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
2. Shpalljen e vrasjeve të grave dhe femicidit si urgjencë kombëtare.
3. Sigurimin e banimit social për gratë që kanë mbijetuar dhunën në familje.
4. Zbatimin e një procesi të pavarur dhe apartiak të vetingut në sistemin e drejtësisë.
5. Legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.
6. Ndjekjen penale dhe burgosjen e zyrtarëve përgjegjës për dështimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt.

Organizatorët kanë theksuar se kërkojnë që përgjegjësia të mos kufizohet vetëm te masat disiplinore ndaj zyrtarëve të nivelit më të ulët, por të përfshijë edhe nivelet më të larta institucionale.

Rasti i Arlinda Zekajt tronditi Kosovën

Arlinda Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj.

Para vrasjes, ajo u kishte drejtuar disa letra institucioneve të drejtësisë, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe duke kërkuar mbrojtje. Megjithatë, tragjedia nuk u parandalua.

Rasti nxiti reagime të shumta dhe protesta në disa qytete të Kosovës, ndërsa disa zyrtarë u suspenduan pas ngjarjes.

Megjithatë, organizatorët kërkojnë që përgjegjësia institucionale të shkojë përtej suspendimeve dhe të shoqërohet me masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Arrestimi i taksistit të SCAN Taxi pasi u kap me dr’ogë, kompania mundohet të arsyetohet

09.11.2026

“Liria ka Emër” planifikon peticion dhe grevë për vendimin në Hagë

08.11.2026

Ky është personi që u rrah në burgun e Dubravës

07.11.2026

534 mjekë të papunë në Kosovë e 611 të tjerë të sistemuar në Gjermani

09.11.2026