Tensionet në Kuvend, pas tri orësh asnjë deputet i opozitës nuk arriti të parashtrojë pyetje
Kanë kaluar tre orë nga fillimi i seancës për pyetjet e deputetëve, por asnjë deputet i opozitës nuk ka arritur të parashtrojë pyetje, për shkak të përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, si dhe mungesës...
Kanë kaluar tre orë nga fillimi i seancës për pyetjet e deputetëve, por asnjë deputet i opozitës nuk ka arritur të parashtrojë pyetje, për shkak të përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, si dhe mungesës së ministrave në sallë.
Situata në Kuvend u tensionua edhe më shumë pas dy pauzave të mëparshme, ndërsa për shkak të përplasjeve verbale, ndërhyrjeve dhe fyerjeve, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vendosi të japë edhe një pauzë tjetër dhe të thërrasë në takim koordinatorët e grupeve parlamentare.
„Kjo është absolutisht e panevojshme. Tensionet janë rritur shumë, prandaj i ftoj koordinatorët e grupeve parlamentare në një takim. Nuk është mirë që qytetarët ta shohin Kuvendin në një atmosferë të tillë”, deklaroi Gashi, duke ndërprerë seancën pa bërë të ditur se kur do të vazhdojë ajo.
Tensionet nisën pasi deputeti i së Majtës, Boris Krmov, paralajmëroi se ose do të respektohet Rregullorja dhe opozitës do t’i sigurohen dy orët e parapara për pyetje parlamentare, ose seanca nuk do të mbahet fare.
Nga radhët e pushtetit pati reagime dhe kundërshtime, ndërsa përplasjet u përshkallëzuan me akuza se po pengohet e drejta demokratike e opozitës për të kërkuar llogari nga Qeveria.
Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, kritikoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, duke i thënë se nuk mjafton të deklarojë se e ka përmbushur detyrimin e tij duke e përgatitur seancën, nëse më pas lejon që të krijohen precedentë në interpretimin e Rregullores.
Ai kërkoi që Gashi të tregojë se në bazë të cilit nen janë përfunduar pyetjet parlamentare, kur deri në atë moment asnjë deputet i opozitës nuk kishte arritur të parashtrojë pyetje.
„Me këtë mënyrë funksionimi të Kuvendit po dëshmoni se ekziston një qëllim tjetër”, tha Spasovski.
Nga ana tjetër, Gashi u përgjigj duke bërë një përllogaritje të kohës së zakonshme të seancave për pyetje deputetësh, nga ora 11:00 deri në orën 18:00, duke përfshirë edhe pauzën e drekës.
Deputeti i BDI-së, Halil Snopçe, theksoi se demokracia nuk matet me kohëzgjatjen e pauzave, por me hapësirën që i jepet opozitës për të ushtruar kontroll ndaj Qeverisë. Ai më pas u përfshi në një debat verbal me deputetin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Pavarësisht thirrjeve të Gashit për uljen e tensioneve, vazhduan ndërhyrjet dhe reagimet nga deputetët e pushtetit dhe opozitës.
Ndërkohë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjia Sajkoski, përmes një reagimi publik akuzoi opozitën se po e pengon vetë mbajtjen e pyetjeve parlamentare.
„Sot ishim dëshmitarë se opozita nuk dëshironte të fillonin pyetjet parlamentare të opozitës. Kjo paraqet një precedent në demokraci. Opozita t’i sabotojë vetë pyetjet parlamentare. Dhe kjo nuk është hera e parë. Opozita i frikësohet së vërtetës!”, deklaroi Sajkoski.
Seanca u ndërpre pa u bërë e ditur koha e vazhdimit të saj, ndërsa mbetet e paqartë se kur deputetët e opozitës do të kenë mundësinë t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të Qeverisë.( INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.