Veliaj kërkon Komision Hetimor për transferimin në Fier, i drejtohet Grupit Parlamentar të PS
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht këtë të mërkurë kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me kërkesën për nisjen e procedurave për ngritjen e një komisioni hetimor...
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht këtë të mërkurë kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me kërkesën për nisjen e procedurave për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Përmes një reagimi publik, Veliaj bën me dije se kërkesa lidhet me pretendimet e tij për ndërhyrje dhe kërcënime nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Sipas Veliajt, komisioni duhet të hetojë nëse transferimi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të marrë përgjegjësinë për organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut.
Kryebashkiaku shprehet se është i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe të paraqesë provat që, sipas tij, disponon.
Ai kërkon gjithashtu që në të njëjtin proces llogaridhënieje të përfshihet edhe kryeministri Edi Rama.
Veliaj thekson se kërkesën ia ka drejtuar shumicës parlamentare socialiste, duke argumentuar se kontrolli parlamentar mbi qeverinë nuk duhet të ndikohet nga përkatësia politike e personave ndaj të cilëve kërkohet llogaridhënie.
Në reagimin e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës bën të ditur se ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Ai thotë se ka kërkuar gjithashtu ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive që lidhen me rastin.
Në përfundim, Veliaj nënvizon se nuk kërkon që Kuvendi t’i konsiderojë të mirëqena pretendimet e tij, por të nisë një hetim parlamentar për t’i verifikuar ato.
“Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, shkruan Veliaj në reagimin e publikuar më 11 nëntor.
The post Veliaj kërkon Komision Hetimor për transferimin në Fier, i drejtohet Grupit Parlamentar të PS appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.