Zvicra refuzon statusin e mbrojtjes për 286 ukrainas, mes tyre 123 fëmijë
Autoritetet zvicerane kanë refuzuar kërkesat për statusin e mbrojtjes S të 286 shtetasve ukrainas gjatë një periudhe 11-mujore. Mes personave që kanë marrë përgjigje negative janë edhe 123 fëmijë, të cilët shoqëroheshin nga kujdestarët e...
Autoritetet zvicerane kanë refuzuar kërkesat për statusin e mbrojtjes S të 286 shtetasve ukrainas gjatë një periudhe 11-mujore. Mes personave që kanë marrë përgjigje negative janë edhe 123 fëmijë, të cilët shoqëroheshin nga kujdestarët e tyre ligjorë.
Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), nga nëntori i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026, Zvicra ka refuzuar gjithsej 286 kërkesa për mbrojtje të paraqitura nga shtetas që vijnë nga rajonet perëndimore të Ukrainës.
Këto të dhëna janë konfirmuar nga SEM, pas raportimeve të gazetës zvicerane NZZ am Sonntag, përcjell albinfo.ch.
Nga të gjitha rastet e refuzuara, vetëm në dy prej tyre autoritetet kanë vlerësuar se kthimi në Ukrainë nuk ishte i arsyeshëm për shkak të gjendjes shëndetësore. Për këta persona është miratuar qëndrimi i përkohshëm në Zvicër.
Sipas autoriteteve, asnjëri nga 286 shtetasit ukrainas nuk ka paraqitur kërkesë të re për azil pas vendimit negativ.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë, Zvicra u ka dhënë statusin e mbrojtjes S gjithsej 6.599 refugjatëve ukrainas, duke vazhduar ofrimin e mbrojtjes për personat që largohen nga lufta.
Sekretariati Shtetëror për Migracionin vazhdon t’i konsiderojë shtatë rajone në Ukrainën perëndimore si zona ku kthimi i qytetarëve mund të jetë i pranueshëm, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ruse në pjesë të ndryshme të vendit.
Sipas SEM-it, sulmet individuale ruse, edhe kur shkaktojnë viktima civile ose dëme të konsiderueshme materiale, nuk nënkuptojnë automatikisht se kthimi në një rajon të caktuar është i papranueshëm.
Autoritetet zvicerane theksojnë se çdo vendim mbështetet në një vlerësim të përgjithshëm të nivelit të dhunës dhe situatës humanitare në rajonin përkatës. Në këtë proces nuk zbatohen kufij të përcaktuar në mënyrë strikte për numrin e viktimave apo shpeshtësinë e sulmeve.
Statusi S është një mekanizëm i posaçëm që u mundëson personave të zhvendosur nga lufta të përfitojnë mbrojtje të përkohshme në Zvicër, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër procedurën e zakonshme të azilit.
The post Zvicra refuzon statusin e mbrojtjes për 286 ukrainas, mes tyre 123 fëmijë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.