Aleanca pro Ligjit për Specialen, Kadrijaj: PDK e sponsorizoi, PDK e tërhoqi- por ne e votojmë në çfarëdo forme
Aleanca do ta votojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara, pavarësisht formës në të cilën do ta shqyrtojë Kuvendi, thotë nënkryetarja e kësaj partie, Time Kadrijaj. Derisa ka mbetur edhe një javë nga afati për rishqyrtimin e...
Aleanca do ta votojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara, pavarësisht formës në të cilën do ta shqyrtojë Kuvendi, thotë nënkryetarja e kësaj partie, Time Kadrijaj. Derisa ka mbetur edhe një javë nga afati për rishqyrtimin e projektligjit nga legjislativi, pas kthimit nga presidentja Justina Shiroka-Pula, Kadrijaj ka theksuar rëndësinë e hyrjes në fuqi të tij.
Ajo, në një intervistë thekson se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për t’u dalë në ndihmë ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më 16 shtator janë dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.
“Sponsorizues i këtij ligji ka qenë PDK-ja. Tërheqës i këtij ligji ka qenë po ashtu PDK-ja. Nuk kemi çfarë të themi nëse përsëri, cila do qoftë forma që vjen në Kuvend, ne do të votojmë”, shton ajo.
Kadrijaj e sheh të domosdoshme miratimin sa më të shpejtë të strategjisë shtetërore për ish-krerët e UÇK-së, e cila, sipas saj, duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet e vendit, e veçmas shërbimi i jashtëm.
Kadrijaj ka bërë të ditur se Komisioni për Punë të Jashtme ka zhvilluar takime të vazhdueshme me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët ka ngritur shqetësimet lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, nëse strategjia duhet të diskutohet edhe me aleatët ndërkombëtarë, sipas saj, mbetet çështje që i takon komisionit.
Javën e kaluar është mbajtur takimi i fundit i grupit punues, për të cilin u tha se është arritur pajtueshmëri mes anëtarëve për ecjen tutje me strategjinë.
“Krejt çka duhet të bëhet është më e mira që t’i dalim në ndihmë katërshes së UÇK-së, që unë mendoj se janë dënuar padrejtësisht. Shkalla e dënimit, vitet e dënimit, janë të padrejta. Institucionet e Kosovës duhet t’u dalin përkrah dhe t’u dalin në ndihmë. Ne, si Komision i Punëve të Jashtme, kemi pasur takime të vazhdueshme me ambasadorët që janë në Kosovë dhe kemi ngritur si shqetësim… A duhet që këta ta diskutojnë strategjinë edhe me aleatët tanë, mbetet në pronësi të grupit punues”, thekson Kadrijaj.
Kadrijaj foli edhe për deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili, pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi, foli për mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas saj, fitorja e Listës së Studentëve nuk pritet të sjellë ndryshim në raportet me Kosovën, pasi, sipas saj, koncepti dhe deklaratat mbeten të njëjta.
Ajo ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie në procesin e dialogut, duke theksuar se Asociacioni nuk duhet të cenojë tërësinë territoriale, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe rregullimin e saj të brendshëm.
“Kur është në pyetje Kosova, nuk besoj se do të ndryshojë diçka, pasi koncepti është i njëjtë dhe deklaratat janë të njëjta… 05:51 Dialogu duhet të jetë transparent, duhet të ketë llogaridhënie. Ne do të kërkojmë llogaridhënie për këtë. Nuk duhet të jetë një Asociacion i cili prek tërësinë territoriale të Kosovës, prek integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe rregullimin e brendshëm”, thotë ajo.
Kadrijaj ka shprehur shqetësimin e saj edhe lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën, duke kritikuar punën e Qeverisë dhe duke pretenduar se vendi ka shënuar regres në disa fusha.
Ajo ka thënë se edhe gjatë periudhës së vakumit institucional, Qeveria ka qenë në detyrë dhe ka pasur mundësi t’i përmbushë detyrat dhe obligimet e saj.
Kuvendi do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Për ne ka qenë tepër shqetësues Raporti i Progresit, pasi i ka nxjerrë në pah temat e kësaj qeverie. Nëse ka pasur vakum institucional, Qeveria ka qenë në detyrë dhe ka mundur t’i kryejë detyrat dhe obligimet. Në aspekte të tjera, ku ka përfituar Lëvizja Vetëvendosje, ata nuk janë ndalur dhe nuk ka pasur regres. Në vend që ta quajmë Raporti i Progresit, ne mund ta quajmë Raporti i Regresit, pasi kemi regres në të gjitha sferat”, përfundon Kadrijaj.
The post Aleanca pro Ligjit për Specialen, Kadrijaj: PDK e sponsorizoi, PDK e tërhoqi- por ne e votojmë në çfarëdo forme appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.