“Jo të bëhen kopje të këqija të Isës e Hashimit”, Mustafa për gjuhën e Osmanit: Është katandisur keq
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar për deklarimet e mbrëmshme të deputetes së LDK’së, Vjosa Osmani, ndaj tij dhe bashkëpartiakëve të saj, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti. “Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”, tha...
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar për deklarimet e mbrëmshme të deputetes së LDK’së, Vjosa Osmani, ndaj tij dhe bashkëpartiakëve të saj, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.
“Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”, tha Mustafa për Lajmi.net kur iu kërkua të komentonte deklaratën e Osmanit.
Osmani në një paraqitje mbrëmë në Kanal 10 derisa po fliste për Qeverinë Kurti tha se ata duhet të përmirësohen, jo të bëhen kopje të qeverive Thaçi dhe Mustafa.
“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”.
Më pas Osmani hodhi akuza edhe në drejtim të Hotit dhe Bajramit.
“Ata thanë para se të kthehet kërko falje dhe unë ju thashë: jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja me ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkua pozicion partiak, as sot nuk i kërkoi asgjë. Jam kthy me ndihmu. Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Avdullah Hoti është bërë kryeministri i Kosovës me vota të vjedhura.
“Dhe në qoftë se mendojnë që tash e tutje unë do ta uli kryet, sepse unë si presidente, edhe në kohë fushate, ua kam përbi ofendimet, edhe tash një kohë të gjatë. Sepse mendoja se ndoshta ata i kuptojnë gabimet e se kaluarës. Ndoshta ata e kuptojnë që shkarkimi im ka qenë gabim, ndoshta ata e kuptojnë që rrëzimi i një qeverie në kohë pandemie ka qenë gabim. Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur qytetar ka krijuar atëherë Qeveri, ka qenë gabim”, ka thënë ajo.
Osmani tha se dëm LDK’së i ka shkaktuar edhe Bajrami.
“Ndoshta zonja Bajrami e kupton që të dalësh publikisht dhe të thuash se nuk ka problem me Listën Serbe është gabim që e dëmton partinë pariparueshëm. Ndoshta z. Hoti e kupton që nuk është mirë me u zgërdhi para Vuçiqit dhe me i thënë “razumem”. Ditën që e kuptojnë çfarë demi i është bërë partisë prej këtyre gabimeve, ajo është dita që LDK-ja fillon me u rikthy”, ka thënë Osmani.
Një përgjigje për këto deklarata e dha edhe deputeti Avdullah Hoti.
“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat”, ka shkruar Hoti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.