Berisha-Balla debat për integrimin: Hiqni dorë nga hedhja e baltës ndaj Shqipërisë

Berisha-Balla debat për integrimin: Hiqni dorë nga hedhja e baltës ndaj Shqipërisë

Sali Berisha dhe Taulant Balla u përfshinë në debat në Kuvend për çështjen e integrimit. Kreu demokrat akuzoi mazhorancën se mbylli derën e integrimit, por kreu i grupit socialist tha se po hedh baltë ndaj Shqipërisë.

Sipas Berishës procesi i integrimit është penguar dhe se Shqipëria po dëmtohet në arenën ndërkombëtare për shkak të korrupsionit.

“Integrimin evropian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguar të diskredituar, të cilët jo që nuk u zgjidhin ju punë, por përkundrazi neverisin të gjithë ata që i takojnë. E bazoni në telefonata të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon, që i kap dhe nuk i lëshon në telefon. Por ky nuk është procesi i integrimit”, u shpreh Berisha.

Në përgjigje të tij, Balla hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se negociatat me Bashkimin Europian nuk janë të bllokuara dhe se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj në procesin e integrimit.

“Në Kuvend ka mbërritur raporti i qeverisë për integrimin në BE bashkuar raportin e 3 muajve të parë të 2026. Ajo që duhet t’ua themi me krenari shqiptarëve nuk është shpresa apo mallkimet e atyre që thonë çdo ditë që negociatat ngecën dhe Shqipëria është bllokuar. Është fakt nga BE që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit, piketat e ndërmjetme gjithashtu. Ka një procedurë që nga komisioni kalon te këshilli dhe më pas në shtete anëtare.
Kallas tha se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të bëhen gati për zgjedhjet europiane në 2029. Ky është fakt. Në lidhje me haberet që the, ne e dimë mirë çfarë është ajo që bëni ju, hiqni dorë nga balta që i hidhni Shqipërisë, nuk e keni vend armik, jeni pjesë e pa zëvendësueshme e demokracisë, nuk e zgjedhim dot njëri-tjetrin, por është koha të bashkohemi. Nuk ju bën nder aspak të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Lexoni raportin që do të miratohet nga BE më 5 maj ku bëhet thirrje të punojmë bashkë. Merrni përgjegjësitë që ju takojnë”,
u përgjigj Balla.

Burimi i lajmit:opinion.al
Shënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Nëse keni ankesa apo kërkesa për heqje materiali, ju lutem na kontaktoni në facebook/KosovaToday Faleminderit për mirëkuptimin.