Berisha tregon pse nuk u takua me McAllister-in
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, nuk e takoi kryedemokratin Sali Berisha gjatë vizitës së fundit që zhvilloi dje në Tiranë. I pyetur nga gazetarët pse nuk pati një takim me McAllisterin, Berisha u përgjigj duke thënë se pati një takim me koordinatorin e grupit parlamentar të Partive Popullore, […]
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, nuk e takoi kryedemokratin Sali Berisha gjatë vizitës së fundit që zhvilloi dje në Tiranë.
I pyetur nga gazetarët pse nuk pati një takim me McAllisterin, Berisha u përgjigj duke thënë se pati një takim me koordinatorin e grupit parlamentar të Partive Popullore, pasi kryetari ka një përfaqësi tjetër.
“Unë takova koordinatorin. Me mua u takua koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore. Unë s’kam funksione në komisionet parlamentare. Ata të gjitha takimet i bënë në selitë e Parlamentit. Te unë erdhi koordinatori i grupit parlamentar të PPE, që përfaqëson grupin ku është i afiluar PD dhe u bë një bisedë jashtëzakonisht e rëndësishme. Kryetari ka përfaqësi tjetër sepse në grup ka edhe socialistë, etj. Ikën jashtëzakonisht të ndriçuar”, tha Berisha për gazetarët.
I pyetur për deklaratën e McAllister se “protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, Berisha tha se është në një linjë me të. Kreydemokrati risolli në vëmendje se gjithmonë ka bërë thirrje për protesta paqësore.
“I gjithë skenari i sheshit është misteri i kryengritjes paqësore. McAllisteri është në linjë të plotë me Berishën. Kam ftuar në mënyrë të përsëritur që është kryengritje paqësore. Thirrja jonë është protestë paqësore”, tha Berisha.

