Besnik Salihu dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen në Dumnicë të Podujevës

Besnik Salihu dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen në Dumnicë të Podujevës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza.

Aktakuza ngarkon Besnik Salihun për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihun për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe anëtarët Gent Beka e Gazmend Bahtiri.

Sipas vendimit, Besnik Salihu u dënua me 24 vjet burgim për “Vrasje” vepër kjo që u rikualifikua nga “Vrasje e rëndë”, dhe 1 vit e 6 muaj për “Armëmbajtje pa leje”. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 25 vjet burgim.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit.

I akuzuari Besnik Salihu obligohet edhe për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërkaq, Ilaz Salihu u lirua nga akuza, pasi nuk është provuar se ka kryer veprn penale.

Shpenzimet e procedurës për këtë të akuzuar, bien në barrë të gjykatës.

Të dëmtuarit u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil.