Mbi 3 dekada në kushte të vështira, 90 familje kërkojnë ndërhyrje në Kabinat e Plazhit të Vjetër në Vlorë
Rreth 90 familje jetojnë në kushte tepër të vështira në Kabinat e Plazhit të Vjetër në Vlorë. Të strehuara në këto banesa sociale prej vitesh, familjet thonë se me kalimin e kohës godinat janë amortizuar, duke u kthyer në hapësira thuajse...
Rreth 90 familje jetojnë në kushte tepër të vështira në Kabinat e Plazhit të Vjetër në Vlorë. Të strehuara në këto banesa sociale prej vitesh, familjet thonë se me kalimin e kohës godinat janë amortizuar, duke u kthyer në hapësira thuajse të pabanueshme.
Sot ato përballen me lagështirë, mure të rrëzuara dhe mungesë dyersh e dritaresh. Banorët pohojnë se gjendja e vështirë ekonomike nuk u mundëson të përballojnë qiratë në qytet, ndaj detyrohen të qëndrojnë në këto kushte. Ata kërkojnë mbështetje për strehim dhe ndërhyrje për plotësimin e kushteve minimale të jetesës, pasi një pjesë vuajnë edhe nga probleme shëndetësore.
“Kushtet janë shumë të këqija. Me një pension jetoj unë. Ka lagështi, muret janë rrëzuar dy herë. Kam 7 vite këtu. E mjera unë, me këto të ardhura nuk mund të marr dot një shtëpi tjetër, pothuajse zero i kam të ardhurat. As ndihmë ekonomike nuk marr. Kam frikë mos na bien muret e na zënë poshtë. Kujt t’i bëhet vonë, nuk vjen askush. Një strehë ku të vëmë kokën, ku të rrimë. Këtu vetëm lagështirë. Na kanë thënë se do të prishet, por nuk di asgjë. Kam vajtur edhe në bashki, por asgjë. Nuk besoj më”, tha banorja.
“Kam 34 vite që banoj në këtë shtëpi. Nuk mund të fus dot as fëmijët në shtëpi, sepse nuk kemi banjë dhe detyrohemi të dalim në shesh. Kam kërkuar ndihmë, por asgjë. Skandal! Banesa ka lagështi, nuk kemi drita dhe mund të na zërë korenti nga këta kabuj. Muret janë të rrëzuara. Për fëmijët nuk marr asgjë. Shërbimi social i jep pensionin babait. E keqja më detyron të rri këtu. Kush ka ikur, ka vdekur”, shprehet një tjetër qytetare.
“Jetesa është e vështirë, jo siç dua unë. Duam ndonjë ndihmë, ja, shikojeni vetë: gërmadha, gërmadha, suvatë e rëna, lagështirë. Kam shumë vite këtu. Jetesa është e vështirë, jam me ilaçe, kam shumë probleme dhe borxhe. Kërkoj ndihmë, të na ndihmojë kush të mundet, me ushqime, me çdo gjë”, shtoi një zonjë.
Familjet e strehuara në Kabinat e Plazhit të Vjetër i përkasin kategorive në nevojë, mes tyre të pastrehë, familje me të ardhura të pakta, persona me aftësi të kufizuara, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rom dhe egjiptian. Sipas banorëve, këto banesa sociale nuk kanë pësuar asnjë ndërhyrje për rikonstruksion që prej vitit 1990. Edhe projektet për shembjen e godinave dhe strehimin e mëvonshëm të familjeve deri më tani kanë mbetur në letër.
The post Mbi 3 dekada në kushte të vështira, 90 familje kërkojnë ndërhyrje në Kabinat e Plazhit të Vjetër në Vlorë appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.