Edelweiss anulon disa fluturime drejt SHBA-së dhe Omanit

Kompania ajrore zvicerane Edelweiss ka njoftuar anulimin e disa fluturimeve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Omanit, si pasojë e rënies së kërkesës dhe rritjes së çmimeve të karburantit, të ndikuara nga situata aktuale gjeopolitike.
Sipas njoftimit, kompania ka bërë ndryshime në orarin veror të fluturimeve për Amerikën e Veriut. Fluturimet drejt qyteteve Denver (Colorado) dhe Seattle (Washington) në Bregun Perëndimor janë ndërprerë menjëherë.
Ndërkohë, kompania mëmë Lufthansa ka vendosur të ndërpresë më herët se planifikuar operimin e linjës së saj rajonale Cityline, për shkak të kostove të larta nga grevat dhe rritjes së çmimeve të karburantit. Sipas kompanisë, 27 avionë të Cityline do të tërhiqen përfundimisht nga shërbimi duke filluar nga dita e pasnesërme, me qëllim reduktimin e humbjeve financiare. Fillimisht, mbyllja e Cityline ishte planifikuar për vitin 2028, transmeton albinfo.ch.
Gjithashtu, në fund të sezonit veror, Lufthansa do të nxjerrë jashtë përdorimit katër avionë të vjetër për fluturime të gjata. Në sezonin dimëror parashikohet edhe reduktimi i pesë avionëve në linjat e shkurtra dhe të mesme. Paralelisht, filiali më ekonomik Discover pritet të zgjerohet më shpejt me avionë të rinj Airbus A350.
Pasagjerët që synojnë të udhëtojnë drejt Denverit mund të rezervojnë fluturime përmes kompanisë Swiss, ku për arsye teknike, lidhja do të operohet përkohësisht me numër fluturimi të kësaj kompanie.
Edelweiss do të reduktojë gjithashtu frekuencën e fluturimeve drejt Las Vegas gjatë fillimit të verës dhe në vjeshtë. Ndërsa, në orarin dimëror 2026/27, do të anulohen plotësisht fluturimet drejt Muscat dhe Salalah në Oman.
Arsyet kryesore: kërkesa e ulët dhe çmimet e karburantit
Kompania thekson se faktorët kryesorë për këto ndryshime janë ndikimet e vazhdueshme të situatës gjeopolitike, veçanërisht në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, si dhe zhvillimet në çmimet e karburantit. Po ashtu, është vërejtur rënie e interesit për disa destinacione në SHBA.
Pasagjerët e prekur nga këto anulime do të sistemohen në fluturime alternative, kryesisht brenda grupit Lufthansa, ose do të kenë mundësinë të marrin rimbursim të plotë të biletave.
The post Edelweiss anulon disa fluturime drejt SHBA-së dhe Omanit appeared first on Albinfo.



