Fotografia e Titos-Veton Surroi i përgjigjet Baton Haxhiut
Shkruan: Veton Surroi Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026 Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel...
Shkruan: Veton Surroi
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakallit. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.
Çka kishte thënë Haxhiu?
Gazetari Baton Haxhiu, i cili së fundmi ka publikuar dy libra, ishte i ftuar në emisionin Pressing në T7, ku rrëfeu një moment që kishte përjetuar në vitin 1998, kur në shtëpinë e nënës së Veton Surroit kishte parë një fotografi të ish-liderit jugosllav, Josip Broz Tito.
Haxhiu tregoi se ishte shokuar kur kishte vërejtur fotografinë, pasi familja në fjalë vinte nga një prejardhje jashtëzakonisht patriotike.
Ai tha se atë ditë ishin të ftuar për drekë, ndërsa theksoi se nuk do të ishte e drejtë të fliste për një shtëpi private, por për fenomenin që përfaqësonte ajo fotografi.
“E kam shpjeguar një grua që vjen nga një familje jashtëzakonisht patriotike. E shoh një fotografi të Titos. Na kanë thirrur për drekë. E pandershme me folë për shtëpinë, por kam folur për fenomenin. Nuk është dashur të ishte ajo fotografi aty”, rrëfeu Haxhiu.
Ai shtoi se gruaja kishte qenë jashtëzakonisht e sinqertë kur kishte shpjeguar qëndrimin e saj, duke thënë: “Kjo Kosovë dhe unë kemi shumë privilegje prej Titos”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.