“Hap i njëanshëm, veprim i pakoordinuar” – Historiku i aksioneve në veri që nxitën reagimin e Perëndimit
Në ditët e fundit, dy hapa të autoriteteve të Kosovës kanë nxitur paralajmërime nga BE-ja për pasoja, dhe kërkesa nga SHBA-ja për gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar. Më 5 gusht u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja shprehën […]
Në ditët e fundit, dy hapa të autoriteteve të Kosovës kanë nxitur paralajmërime nga BE-ja për pasoja, dhe kërkesa nga SHBA-ja për gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar.
Më 5 gusht u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja shprehën zhgënjim nga ky aksion.
Pas insistimit në synimin për hapjen e urës së Ibrit, më 6 dhe 7 gusht, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e vizitoi atë.
“Nuk ka arsye që ura të mos hapet. Tash, se kur do të hapet, është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, tha Sveçla.
Këto veprime s’i kanë mbështetur shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia) e as misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Aksione të ndryshme në veriun e Kosovës kanë nxitur reagime të ngjashme nga Perëndimi që nga viti 2021.
Nga kërkesat për shtensionim dhe kthim në dialog deri në aplikimin e masave ndëshkuese, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë i kanë kërkuar disa herë Qeverisë së Albin Kurtit të tërhiqet nga vendimet e marra.
20 shtator 2021 – Qeveria e Kosovës vendos që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, duhet t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.
22 shtator 2021 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, bën thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve.
29 qershor 2022 – Qeveria e Kosovës miraton vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – në ato RKS (Republika e Kosovës).
31 korrik 2022 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kërkon Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
1 gusht 2022 – Shtyhet zbatimi i vendimeve për dokumentet dhe targat serbe deri më 1 shtator 2022.
1 shtator 2022 – Në komunat në veri të Kosovës nis riregjistrimi i automjeteve në targa RKS. Për riregjistrimin e makinave jepet afat dymujor, deri më 31 tetor.
28 tetor 2022 – Qeveria e Kosovës shpalos planin për targat që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.
28 tetor 2022 – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) kërkon shtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, tha DASH-i.
29 tetor 2022 – Bashkimi Evropian thotë se është i “zhgënjyer” me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
“Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur [këshilla e partnerëve ndërkombëtarë]”, thuhet në reagimin e BE-së.
2 nëntor 2022 – Policia e Kosovës në veri, kryesisht e përbërë nga serbë lokalë, refuzon të shpërndajë fleta qortuese, që parashiheshin si hapi i parë në nisjen e zbatimit të planit për regjistrimin e automjeteve me targa RKS.
3 nëntor 2022 – Suspendohet drejtori i policisë në veri, Nenad Gjuriq, pas refuzimit për zbatimin e vendimit të Qeverisë për targat.
5 nëntor 2022 – Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, gjyqësorit dhe prokurorisë në veri japin dorëheqje pas vendimit të Listës Serbe për braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.
6 nëntor 2022 – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. Ai, gjithashtu, kërkon shtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave.
14 nëntor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri.
7 dhjetor 2022 – Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pas sulmit në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut.
10 dhjetor 2022 – Shtyhen zgjedhjet e planifikuara për 18 dhjetor.
10 dhjetor 2022 – Ish-polici serb, Dejan Pantiq, arrestohet mbi dyshimet se kishte organizuar sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
13 dhjetor 2022 – I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kërkon Qeverisë së Kosovës ta lejojë kthimin e serbëve që dhanë dorëheqje nga institucionet.
4 janar 2023 – Policia e Kosovës njofton për hapjen e konkursit për pranimin e policëve të rinj në Drejtorinë Rajonale e Mitrovicës-Veri.
21 prill 2023 – Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor në komunat në veri të Kosovës.
23 prill 2023 – Mbahen zgjedhjet lokale në veri, votojnë 3.47 për qind e banorëve.
10 maj 2023 – Qeveria e Kosovës miraton vendimin për shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok, me qëllim të “realizimit të projekteve infrastrukturore me interes publik”.
12 maj 2023 – Zyra e BE-së në Kosovë bën thirrje që “të respektohen me përpikëri procedurat ligjore lidhur me shpronësimin e pronës së paluajtshme” dhe të sigurohet respektimi i të drejtave pronësore të pronarëve.
18 maj 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë se autoritetet kosovare nuk duhet të përdoron forcë për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
19 dhe 25 maj 2023 – Betohen kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave në veri.
26 maj 2023 – Nën përcjellje policore, kryetarët e rinj hyjnë në ndërtesa komunale.
26 maj 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.
26 maj 2023 – Ndërkombëtarët kritikojnë Qeverinë e Kosovës për tensionim të situatës. QUINT-i dënon vendimin e Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri, pavarësisht thirrjeve tona për përmbajtje”.
30 maj 2023 – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thotë se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.
30 maj 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-në për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund për të”.
1 qershor 2023 – Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja, thirrjes i bashkohen aleatët.
13 qershor 2023 – Bashkimi Evropian përgatit masa ndëshkuese ndaj Kosovës për mospërfillje të kërkesave për hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri.
29 qershor 2023 – Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.
29 qershor 2023 – DASH-i thotë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut si organizata terroriste.
6 korrik 2023 – BE-ja thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut organizata terroriste është “hap i njëanshëm” që, sipas bllokut, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.
22 gusht 2023 – Autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzojnë nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
23 gusht 2023 – Ambasada e SHBA-së në Kosovë thotë se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprimeve që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.
24 gusht 2023 – BE-ja thotë se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut – e udhëhequr nga Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – është në kundërshtim me përpjekjet për shtensionimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
1 janar 2024 – Makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë. Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe.
4 janar 2024 – Qeveria e Kosovës shfuqizon vendimin për vendosjen e letrave ngjitëse në automjetet me targa serbe, pasi Serbia vendosi t’i lejojë automjetet me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e saj.
17 janar 2024 – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njofton se, nga 1 shkurti, valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, do të jetë euroja. Me këtë u pamundësohet serbëve ta përdorin dinarin serb në Kosovë.
19 janar 2024 – BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin e BQK-së.
24 janar 2024 – SHBA-ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e saj.
1 shkurt 2024 – Hyn në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
13 shkurt 2024 – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, thotë se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të dhe kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të BQK-së.
21 prill 2024 – Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) thotë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Lista Serbe e bojkotoi peticionin.
22 prill 2024 – BE-ja thotë se ndonëse Kosova e ka organizuar procesin e votimit, rezultati i 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.
22 prill 2024 – Pas dështimit të peticionit, Franca kërkoi që menjëherë të organizohen zgjedhje lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
20 maj 2024 – Përmes një operacioni policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, mbyllen gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës.
21 maj 2024 – DASH-i thotë se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
31 maj 2024 – Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër rikthehet në diskutim në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.
31 maj 2024 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bën thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
5 qershor 2024 – Në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok përjashtohen disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.
6 qershor 2024 – QUINT-i, BE-ja dhe OSBE-ja thonë se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.
11 qershor 2024 – Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për finalizimin e shpronësimit në veri të vendit nuk u bë në përputhje me ligjin sipas një raporti të juristëve të Këshillit të Evropës (KiE).
18 korrik 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
2 gusht 2024 – Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
5 gusht 2024 – Policia e Kosovës mbyll nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
5 gusht 2024 – Ambasada amerikane në Prishtinë shprehet thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
6 gusht 2024 – Pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës tek ura e Ibrit, KFOR-i thotë se nuk do të hezitojë të merret me çdo zhvillim që mund ta prekë stabilitetin./REL
Burimi Informacionit :
Lajmi eshte mare nga portalet tjere ne nuk mbajme pergjithesine per publikimin nese keni ndonje problem me lajmin e mesiper atehere dergo nje mesazh per fshirje ne Kosova.Today.Ky lajme me heret eshte postuar ne keto portale : abcnews, insajderi, zhurnal, albinfo, kosovarja, ora24, fakteplus, afterparty, kryefjala, lajmi.net, aktuale.mk, kolibri.al, orainfo.net, portalb.mk