Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit

Në mbrëmjen e 15 marsit 2025, në sallën e Kishës në Schwamendingen – Cyrih, nën organizimin e “Xhamisë Shtëpia e Paqes”, u shtrua një iftar i përbashkët me rreth 320 persona. Në një botë shpesh të ndarë nga ndasitë fetare dhe kulturore, ngjarje si Iftari i Bashkimit, i organizuar nga “Xhamia Shtëpia e Paqes” dhe […] The post Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit appeared first on Albinfo.

Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit

Në mbrëmjen e 15 marsit 2025, në sallën e Kishës në Schwamendingen – Cyrih, nën organizimin e “Xhamisë Shtëpia e Paqes”, u shtrua një iftar i përbashkët me rreth 320 persona.

Në një botë shpesh të ndarë nga ndasitë fetare dhe kulturore, ngjarje si Iftari i Bashkimit, i organizuar nga “Xhamia Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste, janë shembuj të fuqishëm të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Ky iftar, që u mbajt më 15 mars 2025, shënoi një moment të veçantë, ku komuniteti i të gjitha besimeve hodhi një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më respektuese ndaj diversitetit.

Pjesëmarrësit, të mbledhur në një atmosferë ngazëllyese dhe paqësore, shijuan jo vetëm ushqimin e përbashkët, por edhe vlerat e respektit dhe harmonisë, që janë thelbësore për një shoqëri të qëndrueshme.

Pfarrer Christoph Baltensweiler – prifti i Kishës Reformiste, përshëndeti të pranishmit në një ngjarje të veçantë – iftarin e përbashkët, një moment që simbolizon bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare. Ai u shpreh i gëzuar që pati mundësinë të merrte pjesë në këtë ngjarje, duke falënderuar të gjithë për ftesën e ngrohtë.

“Jemi të gjithë mysafirë! Ju jeni këtu me ne dhe ne jemi me ju! Së bashku, do të përjetojmë momentin e ndarjes së agjërimit, dhe kjo më mbush me gëzim”, tha ai.

Baltensweiler theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe vlerat e respektit reciprok që karakterizojnë jetën në Schwamendingen.

“Ekziston një traditë e bukur dhe e gjatë, që njerëzit të ecin së bashku, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të punojnë për paqen. Paqja në botën tonë bëhet gjithnjë e më e rëndësishme… dhe këtu, në vogël, ajo fillon”, theksoi ai.

Ai e cilësoi këtë mbrëmje si një mundësi për të përjetuar së bashku momentin e ndarjes së agjërimit dhe reflektimin në kohën e agjërimit, që është një periudhë e qetë dhe besimi për besimtarët e krishterë dhe myslimanë.

Në përfundim, ai shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me “Shtëpinë e Paqes”, një bashkëpunim që i dha mundësinë të përjetonte për herë të parë një lidhje ndërfetare të tillë. Ai uroi të pranishmit për një mbrëmje të qetë dhe të lumtur dhe theksoi se paqja në botën tonë është gjithnjë e më e rëndësishme, duke nisur nga ky komunitet i vogël që ka krijuar këtë traditë të bukur dhe të vlefshme të bashkëjetesës.

Më pas, fjalën e mori Imam Fahredini Bunjaku, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e konsideruar këtë iftar më shumë se një ngjarje sociale, por një simbol të tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore, veçanërisht në një periudhë kur ndarjet shpesh ndodhin në shoqëri.

Ai theksoi se kjo ngjarje ndërfetare është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Imami Fahredin Bunjaku – Xhamia Shtëpia e Paqes: “ Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur: Es-selamu alejkum – Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen e përzemërt në këtë iftar të përbashkët. Më gëzon jashtëzakonisht shumë që jeni mbledhur kaq shumë sonte për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë së bashku me ne. Kjo mbrëmje është më shumë se thjesht një iftar i përbashkët – ajo është një shenjë e rëndësishme e tolerancës dhe një simbol i bashkëjetesës paqësore në Zvicër. Sidomos në kohë kur dallimet shpesh dalin në pah, kjo ngjarje ndërfetare na kujton sa i vlefshëm është dialogu i respektueshëm dhe bashkëpunimi mes nesh.

Në përfundim, imami Bunjaku shprehu kënaqësinë e tij që ishte pjesë e këtij eventi dhe shprehu shpresën se ngjarje të tilla do të vazhdojnë të ndihmojnë në forcimin e harmonisë dhe njohjes ndërmjet të gjithëve. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit për diversitetin si vlera themelore për një shoqëri të qëndrueshme.

Vigan Berisha Konsuli i Republikës së Kosvës në Cyrih: “Është një kënaqësi e veçantë të jem sonte, me ftesën e nderuar të hoxhës Bunjaku, mes komunitetit shqiptar në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit. Kombi ynë ka dëshmuar ndër shekuj harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, një vlerë e çmuar që na bashkon dhe na bën më të fortë. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të investojmë për ta forcuar edhe më tej këtë harmoni. Pavarësisht besimeve të ndryshme, ne jemi një komb, të lidhur nga gjuha, kultura dhe traditat tona të pasura.”

Claudio Schärli- “Stadtpolizei Zürich Brückenbauer ( Policia e qytetit të Cyrihut, ndërtuesi i urave): “Shkëmbimi dhe komunikimi ndërkulturor janë më të rëndësishëm se kurrë. Si një ndihmës i policisë, unë trajnoj dhe këshilloj rregullisht persona me  origjinë migrimi. Për më tepër, ne jemi një pikë kontaktimi, këshillimi dhe mbështetjeje për të gjitha institucionet dhe shoqatat fetare dhe kulturore në qytetin e Cyrihut. Pjesëmarrja në iftarin e sotëm është një nder dhe një pjesë tjetër e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkulturor.”

Barbara Fotsch Kryetare e bordit të shkollës në Schwamendingen: Fillimisht u gëzova shumë për ftesën, sepse mendoj se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe kemi pasur tashmë përvoja shumë të mira me “Shtëpinë e Paqes”, sepse temat që lidhen me besimin shfaqen edhe në shkollë dhe ne duhet të gjejmë vazhdimisht zgjidhje për to. Prania e tolerancës ndërfetare. Mendoj se kjo varet shumë nga konteksti në të cilin e shikojmë. Mund të flas diçka nga konteksti shkollor. Besoj se kemi arritur shumë në këtë drejtim gjatë viteve të fundit. Këto tema janë prezentë dhe herë pas here mund të jenë sfiduese, por në përgjithësi besoj se kemi arritur të zhvillojmë një bashkëjetesë të mirë mes nesh. Gjithashtu, mendoj se feja nuk duhet të jetë një temë kaq e madhe në shkollë.

Fatime Bunjaku- Studente  e Mësuesisë- moderatorja e programit: “Organizimi në ‘Xhaminë e Paqes’ ka nisur që para Ramazanit. Sallën për iftar e kemi rezervuar një vit më parë, ndërsa përgatitjet për ushqimet kanë filluar dy javë më parë, që t’i kemi gati dhe të mos e kemi stresuese në fund. Bukën e kanë përgatitur gratë e xhamisë, të cilat janë shumë aktive dhe tregojnë një angazhim dhe përkushtim të madh. Logjistika ka qenë e përbashkët. Për mua, toleranca ndërfetare është shumë e rëndësishme. Zvicra është një shtet me kultura të ndryshme, dhe këtu, toleranca është edhe më e rëndësishme. Besoj se mund të jetojmë paqësisht të gjithë bashkë, duke respektuar njëri-tjetrin, pavarësisht feve, kulturave ose kombeve nga vijmë.”

Pjesëmarrësit e ngjarjes, pas fjalimit të tij, kishin mundësinë të merrnin pjesë në ritualet e faljes së namazit, përfshirë namazin e akshamit dhe teravisë, duke shijuar një atmosferë harmonike dhe të bashkuar.

Programi i ngjarjes përfshiu një fjalim përshëndetës nga Pfarrer Christoph Baltensweiler, i cili u pasua nga imami Fahredin Bunjaku. Në orën 18:38, thirrja e ezanit shpalli momentin për të prishur agjërimin, ndërsa pas ngrënies, të pranishmit morën pjesë në namazin e akshamit. Imami Fahredin Bunjaku përshëndeti besimtarët me një fjalë të shkurtër dhe një ligjëratë më të gjatë. Për ata që nuk morën pjesë në lutje, një bufe me ëmbëlsira ishte e hapur në hapësirën e jashtme.

Pas namazit të akshamit, në orën 20:21, i gjithë komuniteti i pranishëm bashkë u angazhua në namazin e teravisë, ndërsa ngjarja përfundoi rreth orës 22:00.

Ky “Iftar i Bashkimit” ishte më shumë se një ngjarje fetare; ishte një mundësi për të forcuar lidhjet ndërmjet komunitetesh të ndryshme dhe për të ndarë mesazhin e bashkëjetesës dhe unitetit. Toleranca ndërfetare dhe respekti për diversitetin janë vlera që duhet të kultivohen dhe mbështeten çdo ditë, dhe ky iftar na dha mundësinë të shohim se si mund të bashkëjetojmë paqësisht dhe të respektojmë njëri-tjetrin, pavarësisht fesë, kulturës ose origjinës sonë.

Fotograf Rromir Imami

The post Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit appeared first on Albinfo.