Incidenti në aeroportin e Shkupit, përplasje virtuale ndërmjet Pacollit dhe këshilltarit të presidentes Osmani
Një deklaratë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, mbi incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit ka nxitur disa reagime. Pacolli të shtunën deklaroi se kryesuesi i Departamentit të Sigurisë së Pasagjerëve në Asociacionin Ndërkombëtar të Transportit Ajror (IATA) nga Toronto, i ka konfirmuar se nuk ekziston asnjë lloj imuniteti që mund […]
Një deklaratë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, mbi incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit ka nxitur disa reagime.
Pacolli të shtunën deklaroi se kryesuesi i Departamentit të Sigurisë së Pasagjerëve në Asociacionin Ndërkombëtar të Transportit Ajror (IATA) nga Toronto, i ka konfirmuar se nuk ekziston asnjë lloj imuniteti që mund të justifikojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan.
E, për këtë reagoi këshilltari i Osmanit, Rinor Nuhiu, i cili tha se interpretimet e Pacollit janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil.
“Ja kush ka qenë Ministër i Jashtëm, zv. Kryeministër dhe President (për fat të mirë vetëm për 30 ditë) i Kosovës. Ky njeri jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, por edhe arsyeton sulmin brutal ndaj vendit tonë. Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”, ka thënë Nuhiu në Facebook.
Për deklaratën e Nuhiut reagoi sërish Pacolli, i cili tha se disa herë ka qenë në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e presidentes Osmani.
“Kam qenë disa herë në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e Presidentes Osmani, edhe pse në shumicën e rasteve e kam ndihmuar. Unë besoj dhe kam thënë se skandalet e fundit të Presidentes janë rezultat i mungesës së njohurive dhe arrogancës së stafit të saj! Nëse ata vazhdojnë kështu, unë do të publikoj çdo ditë nga një shkrim, në mënyrë që publiku të kuptojë më mirë se kush është filo-rus dhe filo-serb, dhe kush është dinjitoz e kush nuk është, siç thonë ata. E unë kam shumë çka për të thënë”, ka pohuar Pacolli.
Tutje, ai ka shkruar se “njerëzit mosmirënjohës dhe arrogantë shpesh janë rezultat i nivelit të ulët të edukatës”.
“Individët që rriten dhe formohen në mjedise ku mungon edukimi për vlerat e respektit dhe mirënjohjes ndaj të tjerëve, shpesh vijnë nga ambiente ku këto cilësi janë promovuar pak ose aspak. Në një shoqëri ku inkurajohet apo promovohet individualizëm ekstrem dhe theksohet egoja e personave, pa marrë parasysh se kush janë, aty krijohet një atmosferë ku njerëzit zhvillojnë qëndrime arrogante me mungesë ndjeshmërie e respekti ndaj të tjerëve”, shton kreu i AKR-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përballur me një situatë të sikletshme ditën e enjte në Aeroportin e Shkupit, ku sipas Presidencës, një pjesëtar i sigurimit tentoi t’i merrte telefonin personal për ta vendosur në skanerë.Presidenca e Kosovës ka bërë disa sqarime rreth situatës së krijuar në aeroport, duke rikujtuar se kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike.
Burimi Informacionit :
Lajmi eshte mare nga portalet tjere ne nuk mbajme pergjithesine per publikimin nese keni ndonje problem me lajmin e mesiper atehere dergo nje mesazh per fshirje ne Kosova.Today.Ky lajme me heret eshte postuar ne keto portale : abcnews, insajderi, zhurnal, albinfo, kosovarja, ora24, fakteplus, afterparty, kryefjala, lajmi.net, aktuale.mk, kolibri.al, orainfo.net, portalb.mk