Interesimi i studentëve për Universitete në SHBA, shkak cilësia dhe prestigji
Interesimi i studentëve kosovarë për të studiuar në Universitete jashtë vendit është konsiderueshëm i lartë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë 881 studentë që diplomuan jashtë Kosovës. Ky numër përfshijnë universitetet rajonale dhe ato më prestigjioze, duke përfshirë SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar që janë në top universitetet botërore. Studentët kosovarë që po studiojnë në universitetet […]
Interesimi i studentëve kosovarë për të studiuar në Universitete jashtë vendit është konsiderueshëm i lartë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë 881 studentë që diplomuan jashtë Kosovës. Ky numër përfshijnë universitetet rajonale dhe ato më prestigjioze, duke përfshirë SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar që janë në top universitetet botërore.
Studentët kosovarë që po studiojnë në universitetet ndërkombëtare përfshijnë tri nivele të shkollimit, atë të doktoratës, masterit dhe bachelorit.
Sipas të dhënave të publikuara nga ORCA, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim studimet përfshijnë fusha të ndryshme si ajo e mjekësisë, sportit, arkitekturës, etj. Sipas njohësve të të arsimit, studimet në Universitetet e SHBA-ve nuk kanë të bëjnë me mungesën e drejtimeve në Kosovë, por me cilësinë e arsimit atje.
NARIC KOSOVA: 31 studentë kosovarë të diplomuar në SHBA gjatë vitit 2023
Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik, NARIC ka publikuar shifra ku tregojnë që për gjatë vitit 2023 janë 31 studentë të Kosovës të diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
ORCA në publikimin e të dhënave nga NARIC që është përgjegjëse për njohjen e diplomave të fituara jashtë Kosovës, tregojnë se janë 881 vendime për njohje të diplomave që janë lëshuar nga kjo Qendër. Vendet ku prijnë me më së shumti diploma të lëshuara e të cilat janë njohur në Kosovë janë Maqedonia e Veriut me 354, për të vazhduar pastaj Shqipëria që është shteti i dytë me më së shumti diploma të njohura në Kosovë përgjatë vitit 2023, me 152 sosh. Ndërkaq edhe në SHBA për një vit, numri i studentëve figuron të jetë 31.
Në publikimin e ORCA me të dhënat nga NARIC, numri i studentëve të diplomuar në SHBA, prej 31 sosh, përfshijnë tri nivelet e studimeve: doktoratë, master dhe bachelor.
Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik e njohur si qendra NARIC nga anglisht National Academic Recognition and Information Center (tutje qendra NARIC) së bashku me Agjencinë e Kosovës për Akreditim, përbëjnë dy filtrat kyç që mbrojnë cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë. Kjo qendër është përgjegjëse për njohjen e diplomave të fituara jashtë Kosovës, që do të thotë, është mbrojtja e parë nga diplomat false, e sidomos të atyre të doktoratës, bartësit e të cilëve tentojnë të futen në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë si profesorë.
Studentja Eriona Hoti: Qëllimi i studimit në SHBA, kontributi për vendlindjen
Për shumë studentë kosovarë, studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar karrierën e tyre dhe për të pasur një ndikim të vërtetë në fushat e tyre të studimeve. Një shembull i shkëlqyer i kësaj është rrugëtimi i Eriona Hotit, e cila ka arritur të përfitojë një bursë për studime në SHBA dhe tani është në rrugën e duhur të suksesit.
Eriona ka përfunduar studimet e bachelorit në gazetari në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si gazetare, teksa një periudhë ka qenë edhe pjesë e Këshillit Amerikan. Pas kësaj, ajo vendosi të ndjekë një master që ofron një kombinim të komunikimit dhe avokimit. Ky drejtim ishte i rëndësishëm për të, pasi ajo dëshironte të zhvillonte njohuri të thella në të dyja fushat.
Dhe si rrjedhojë pasi hulumtoi vendosi për “James Madison University”, në të cilin u regjistrua përmes bursave për studentët ndërkombëtarë. Por, jo vetëm kaq, ngase përveç studimeve ajo është angazhuar edhe në aktivitete akademike.
“Në Kosovë kam qenë trajnere për Edukim Medial, e kjo më ka shtyrë të aplikoj edhe si asistente në fakultetin ku studioj. Pra, tani përveç që jam studente e nivelit master, në po të njëjtin universitet jam asistente e një profesori, pra ligjëroj aty”, theksoi ajo për Front Online.
Një nga dallimet kryesore që Eriona veçon në arsimin e lartë mes Kosovës dhe SHBA-së është kultura e lirisë dhe besimit në aftësitë e studentëve në SHBA.
“Në SHBA ka shumë më shumë mundësi për studentët. Derisa në Kosovë duhet të kalosh në disa faza të besimit dhe vlerësimit të aftësive, në SHBA ekziston një kulturë e njerëzve që besojnë dhe vlerësojnë punën e studentëve dhe shpërblehen për këtë”, tha Eriona Hoti.
Tutje ajo theksoi se edhe lidhja profesor-studentë në SHBA është raport kolegial apo edhe shoqëror, ku profesorët janë më të hapur dhe të inkurajojnë të punosh ngushtë me ta.
“Në Kosovë studentët nuk kanë shumë përvojë në aspektin e hulumtimit, derisa në SHBA ka qendra të hulumtimit që të ndihmojnë si duhet hulumtuar një çështje. Dhe kjo për mendimin tim është ngecja e madhe që e shoh në Kosovë”, shtoi ajo.
Në SHBA, sipas Erionës liria për të shprehur eksperiencat personale dhe zgjedhja e literaturës për lexim janë të përkushtuara në mënyrë që studentët të ndihen të angazhuar dhe të motivuar.
“Në SHBA vendos vet studenti çfarë dëshiron të lexojë, nuk imponohet nga profesori. Thjesht t’i jep disa opsione. Pastaj nuk ndëshkohesh me notë tek profesori sepse është kulturë që secili lexon vet dhe ka interaktivitet në mes kolegëve, si dhe mendimi kritik është tejet i zhvilluar. Ndërkaq, këtu në Kosovë ka shumë precizitet, profesori e vendos me përpikëri syllaubusin dhe ka kulturë ndëshkimi nga profesori”, nënvizoi Eriona.
Po ashtu, ajo ka theksuar se universitetet në SHBA janë të dixhitalizuara dhe ofrojnë një mjedis ku çdo student ka akses në teknologji moderne për të mbështetur procesin e mësimdhënies dhe të nxënit.
“Një tjetër aspekt i rëndësishëm është “Java e orientimit”, e cila u ndihmon studentëve, sidomos atyre që vijnë nga jashtë, siç është rasti me studentët nga Kosova, që të adaptohen dhe të kuptojnë plotësisht kërkesat dhe mundësitë që ofrohen”, tha ajo.
Motivi kryesor i Erionës për studim në SHBA ka qenë dëshira e saj në ndërtimin e paqes dhe dialogut. Ajo ka bërë të ditur se zotëron një certifikim të mëhershëm nga Irlanda Veriore: “Si të ndërtojmë paqen”, prandaj ka vendosur që edhe masterin ta ketë në këtë drejtim.
“Duke qenë se kemi luftëra të ndryshme duke ndodhur në botë dhe kemi një konflikt në Kosovë që është inaktiv, pasi e dimë që nuk ka një përfundim diçka konkret mes Serbisë dhe Kosovës dhe familjarisht kam qenë e prekur nga lufta, kjo ka qenë një prej arsyeve që kam dashur të marrë një edukim diku jashtë vendit dhe pastaj të jap kontributin tim për Kosovën ”, tha Eriona.
Ajo ka theksuar se pavarësisht nëse angazhimi i saj në të ardhmen do të jetë në Kosovë apo në nivel ndërkombëtar, qëllimi i saj është të kontribuojë për vendlindjen e saj.
Pupovci: Të rinjët kanë interesim për studime në SHBA pasi janë në krye të universiteteve botërore
Dukagjin Popovci, ish zëvendës ministër i Arsimit, thotë për “Front Online” se interesimi i studentëve kosovarë për studime në SHBA është mëse normale, pasi janë në krye të Universiteteve botërore.
Ai thotë se shpenzimet për studime janë të larta, prandaj të rinjtë synojnë të arrijnë atje përmes bursave.
“Është normale që njerëzit e rinjtë t’i kërkojnë mundësitë më të mira për edukimin e tyre dhe universitetet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe janë në krye të listës së Universiteteve botërore për nga cilësia, prandaj ekziston edhe një interesim për to. Shpenzimet shpesh herë janë shumë të larta edhe të rinjtë synojnë që të sigurojnë bursa ose mbështetje të tjera financiare”, theksoi ai.
Sipas Pupovcit njëra ndër arsyet mund të jetë edhe mungesa e ndonjë programi në universitetet në Kosovë apo edhe rajon, por më shumë është tek cilësia e arsimit.
“As Universiteti i Prishtinës dhe asnjë i rajonit nuk mund të ketë aq shumë programe të studimit sa afrojnë ato të perëndimit mund të jetë arsyeja edhe për mungesë të drejtimeve adekuate por më shumë është tek cilësia se ata edhe në drejtimet që i kemi ne na vijnë të diplomuar nga atje si shkenca kompjuterike, matematike etj”, tha ai.
Në fund, Pupovci thotë se në SHBA ka cilësi të lartë të punës, dhe një i diplomuar atje ka mundësi të punësimit shumë më të mira.
“Në SHBA kanë një cilësi më të lartë të punës dhe kur dikush e ka diplomën e një Universiteti të SHBA-së mundësitë e punësimit janë shumë më të mira. Në SHBA njëri ndër kriteret themelor për punësim është origjina e diplomës, nëse diploma vjen nga një Universitet cilësore, mundësitë e punësimit janë shumë më të mira, kjo aplikohet më pak në Kosovë por jashtë Kosovës po”, tha Pupovci për Front Online.
Rexhaj: Studimi në SHBA është çështje prestigji dhe e cilësisë së studimeve
Xhavit Rexhaj, ish zëvendës ministër i Arsimit, thotë për “Front Online” thotë për “Front Online” se në SHBA studiojnë me dhjetëra mijëra studentë nga vendet me të zhvilluara të botës.
Për Rexhajn, studimi në SHBA bëhet për shkak të cilësisë së studimeve, si dhe çështje prestigji.
“Është çështje prestigji dhe e cilësisë së studimeve”, tha ai.
Ai thotë poashtu se para ca kohësh Qeveria e USAID kanë dhënë qindra bursa për master.
“Një kohë Qeveria e USAID kanë dhënë me qindra bursa për master. Ne SHBA studiojnë me dhjetëra mijëra studentë nga vendet me të zhvilluara të botës! Është çështje prestigji dhe e cilësisë së studimeve”, tha Rexhaj për Front Online.
Qehaja: Qeveria të financojë për studime jashtë vendit por me kufuzim për t’u rikthyer dhe kontribuar në vend
Eksperti i Arsimit nga Instituti i Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja thotë për “Front Online” se Studentët e diplomuar jashtë vendit janë vlerë e shtuar për tregun e punës me shpresën e mirë që sjellin përvoja që nxisin për ndryshime.
“Studentët e diplomuar jashtë vendit janë vlerë e shtuar për tregun e punës me shpresën e mirë që sjellin përvoja që nxisin për ndryshime”, theksoi ai.
Eksperti i arsimit thotë se Qeveria duhet t’i përkrahë me financim studimet jashtë vendit, por me kushtin që ata të kthehen e kontribuojnë në vend.
“Është shume e rëndësishme që Qeveria të ofrojë përkrahje të vazhdueshme në financim për studimet jashtë vendit në top universitete, gjithherë, me kufizimin për t’’u rikthyer në vend. Mirëpo përtej studimeve universitare, padyshim, me rëndësisë për profile te caktuara duhet të jene programe të praktikave profesionale jasht vendit”, deklaroi ai.
Në fund, Qehaja thotë se tregu i punës kërkon të diplomuar që kanë shkathtësi dhe aftësi të cilët gjenerojnë në ekonomi.
“Tregu i punës më nuk është në kërkim të të diplomuarve me përvojë akademike vetëm, por mbi të gjitha me të diplomuar që kanë shkathtësi dhe aftësi të cilat gjenerojnë ekonomi”, tha Qehaja për Front Online.
Front Online ka dërguar pyetje lidhur me këtë temë në adresë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje as pas 14 ditësh pritje.
*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
Burimi Informacionit :
Lajmi eshte mare nga portalet tjere ne nuk mbajme pergjithesine per publikimin nese keni ndonje problem me lajmin e mesiper atehere dergo nje mesazh per fshirje ne Kosova.Today.Ky lajme me heret eshte postuar ne keto portale : abcnews, insajderi, zhurnal, albinfo, kosovarja, ora24, fakteplus, afterparty, kryefjala, lajmi.net, aktuale.mk, kolibri.al, orainfo.net, portalb.mk