MAQEDONIA

Iseni: Davor Macura i blen aksionet për hyrjen e “Alta Bankës” drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit

Kosova.Today ·

Astrit Iseni nga VLEN në një konferencë me mediat ka publikuar pretendime të reja lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se oligarku serb Davor Macura i ka blerë aksionet e bankës...

Astrit Iseni nga VLEN në një konferencë me mediat ka publikuar pretendime të reja lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se oligarku serb Davor Macura i ka blerë aksionet e bankës drejtpërdrejt nga kompania familjare e Selahudin Arifit, krushkut të Ali Ahmetit.

Sipas tij, transaksionet financiare që përfshijnë një kredi prej 5 milionë eurosh në qershor të vitit 2025 dhe shitjen e aksioneve në shtator të po atij viti ngrenë dyshime për një skemë të ndërlidhur biznesore.

VLEN rikujton se në tetor të vitit 2024, kompania e Kërçovës “AS Senjak”, në pronësi të Selahudin Arifit, kishte blerë një pako të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”.

“Më 9 qershor 2025, një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ali Ahmetit kishte përfituar një kredi prej 5 milionë eurosh nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd. Ndërkaq, më 17 shtator 2025, vetëm tre muaj pas dhënies së kredisë, kompania “AS Senjak” ia kishte shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit Davor Macurës dhe “Alta Bankës”, duke i hapur rrugë marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoninë e Veriut. Duke i ndërlidhur këto zhvillime, VLEN ngre dyshime se kredia prej 5 milionë eurosh dhe shitja e aksioneve mund të kenë qenë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë financiare”, theksoi Iseni.

Ai ka ngritur edhe këto pyetje:

* A e ka financuar Davor Macura hyrjen e tij në tregun maqedonas përmes kredisë prej 5 milionë eurosh, të dhënë kompanive të lidhura me rrethin familjar të Ali Ahmetit?

* A ishte shitja e aksioneve më 17 shtator 2025 një kompensim i paracaktuar për kredinë e dhënë në qershor?

* Sa ishte fitimi neto dhe diferenca në çmim që përfituan personat e përfshirë në këtë transaksion?

Iseni përmend edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, duke pretenduar se ata kishin luajtur rol në lehtësimin e hyrjes së “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.

Sipas VLEN-it, ndërsa ish-funksionarët e BDI-së politikisht i hapnin rrugë bankës në institucionet shtetërore, kompania e krushkut të Ali Ahmetit kishte mbajtur dhe më pas shitur aksionet te Davor Macura.

Në fund, ai i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që të nisin një hetim urgjent për të gjitha transaksionet e përmendura.

“Të hetohen në mënyrë të ndërlidhur kredia prej 5 milionë eurosh e 9 qershorit 2025 dhe shitja e aksioneve e 17 shtatorit 2025, me qëllim që të sqarohet nëse ka pasur marrëveshje të paracaktuar dhe nëse janë shkelur ligjet financiare”, theksoi Iseni.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Adnan Azizi: Më shumë lidhje me Kosovën dhe Shqipërinë, më shumë lehtësime për qytetarët tanë

13.11.2026

Kasami: Në zgjedhjet e rregullta e fitojmë bindshëm BDI-në

12.11.2026

Astrit Iseni: One Stop Shop me Shqipërinë, hap i ri drejt lehtësimit të qarkullimit në kufi

13.11.2026

“80 me 0” në Spitalin e Kumanovës?! Hyseni shpërthen: “As në komunizëm shqiptarët nuk janë nënçmuar kështu!”

12.11.2026