JETA

Komuniteti Musliman Shqiptar kundërshton stigmatizimin e xhamive shqiptare në Zvicër

Kosova.Today ·

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) ka reaguar ndaj përgjithësimeve në debatin publik për radikalizimin dhe integrimin, të cilat, sipas tij, rrezikojnë të stigmatizojnë xhamitë shqiptare, imamët dhe besimtarët e tyre. Në...

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) ka reaguar ndaj përgjithësimeve në debatin publik për radikalizimin dhe integrimin, të cilat, sipas tij, rrezikojnë të stigmatizojnë xhamitë shqiptare, imamët dhe besimtarët e tyre. Në një komunikatë të datës 10 nëntor, komuniteti dënon çdo formë të ekstremizmit dhe riafirmon gatishmërinë për bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Duke iu referuar Deklaratës së Bernës të vitit 2017, KMSHZ/DAIGS rithekson përkushtimin ndaj Kushtetutës Federale në Zvicër, demokracisë dhe lirive individuale. Komuniteti kërkon që debati publik të mbështetet në fakte dhe në përgjegjësinë individuale.

Komunikata e plotë e KMSHZ/DAIGS

KMSHZ/DAIGS: Përkushtimi ynë ndaj Kushtetutës, demokracisë dhe lirive individuale në Zvicër është i palëkundur

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër kundërshton stigmatizimin kolektiv, riafirmon angazhimin ndaj vlerave demokratike dhe dënon pa asnjë rezervë çdo formë ekstremizmi dhe intolerance.

Cyrih, 10 nëntor 2026

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) shpreh shqetësimin lidhur me disa qëndrime dhe diskurse publike të kohëve të fundit, të cilat, ndonëse trajtojnë çështje legjitime si ekstremizmi fetar, radikalizimi dhe integrimi, në disa raste shoqërohen me përgjithësime që rrezikojnë të stigmatizojnë bashkësitë islame shqiptare, imamët dhe besimtarët e tyre.

KMSHZ/DAIGS respekton plotësisht lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të drejtën për të kritikuar institucionet fetare. Debati publik mbi radikalizimin, transparencën dhe përgjegjësinë institucionale është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Megjithatë, ai duhet të mbështetet në fakte, në përgjegjësinë individuale dhe në respektimin e dinjitetit njerëzor.

Ne nuk kërkojmë privilegje apo imunitet nga kritika. Kërkojmë që institucionet dhe besimtarët tanë të vlerësohen drejt, mbi bazën e fakteve dhe me të njëjtat standarde demokratike që vlejnë për të gjithë qytetarët.

Angazhimi ynë ndaj Kushtetutës dhe vlerave zvicerane

Bashkësitë islame shqiptare në Zvicër janë të përkushtuara ndaj Kushtetutës Federale, institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe rendit juridik zviceran.

Ne i respektojmë parimet themelore mbi të cilat ndërtohet shoqëria zvicerane: dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë para ligjit, demokracinë, pluralizmin dhe të drejtat themelore të individit. Në mënyrë të veçantë, mbështesim lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit, të drejtën për të praktikuar ose për të mos praktikuar një fe, si dhe mundësit e barabarta ndërmjet grave dhe burrave, si dhe respektimin e zgjedhjeve personale të secilit individ.

Për ne, besimi është çështje e bindjes së lirë personale. Ai nuk mund t’i imponohet askujt dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për të cenuar të drejtat e të tjerëve apo për të vënë në diskutim rendin kushtetues dhe juridik të vendit.

Ne besojmë se përkatësia fetare dhe përkushtimi ndaj demokracisë zvicerane nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund të bashkëjetojnë në harmoni dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të lirë, pluraliste dhe të përgjegjshme.

Deklarata e Bernës e vitit 2017 – dëshmi e një angazhimi historik

Përkushtimi ynë ndaj këtyre vlerave nuk është një deklarim i rastit dhe as një reagim ndaj polemikave të sotme.

Më 20 mars 2017, në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër dhe Bashkësia Islame e Shqiptarëve në Zvicër nënshkruan një deklaratë të përbashkët historike në mbështetje të demokracisë, laicitetit dhe shtetit të së drejtës.

Përmes këtij dokumenti, organizatat nënshkruese shprehën qartë pranimin e neutralitetit të shtetit ndaj bashkësive fetare, përparësinë e rendit kushtetues dhe juridik zviceran, lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit, barazinë ndërmjet grave dhe burrave, si dhe kundërshtimin e dhunës, urrejtjes dhe ekstremizmit.

Bashkimi i mëvonshëm i këtyre dy organizatave në KMSHZ/DAIGS siguroi vazhdimësinë institucionale të këtij angazhimi.

Sot, ne i ritheksojmë me bindje të plotë parimet e asaj deklarate. Ajo nuk ishte një formalitet, por shprehje e një përgjegjësie të qëndrueshme ndaj vendit ku jetojmë dhe kontribuojmë.

Shqiptarët muslimanë – pjesë e shoqërisë zvicerane

Komuniteti musliman shqiptar në Zvicër është pjesë përbërëse e shoqërisë zvicerane. Një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve të tij janë shtetas zviceranë, me të drejta dhe përgjegjësi të plota qytetare, të lidhur ngushtë me vendin, institucionet demokratike dhe të ardhmen e tij.

Ata jetojnë, punojnë, krijojnë familje, edukojnë fëmijët dhe kontribuojnë në jetën ekonomike, shoqërore, kulturore dhe demokratike të vendit. Edhe bashkësitë tona fetare japin kontribut përmes aktiviteteve edukative, humanitare, kulturore dhe ndërfetare, si dhe bashkëpunimit me institucionet lokale.

Prejardhja shqiptare dhe besimi islam nuk e vënë në dyshim përkatësinë qytetare zvicerane. Përkundrazi, ne besojmë se diversiteti i prejardhjeve dhe bindjeve është pjesë e realitetit të një shoqërie që mbështetet në liri, pluralizëm dhe barazi.

Kundërshtim i pakushtëzuar i ekstremizmit dhe bashkëpunim me autoritetet

KMSHZ/DAIGS dënon pa asnjë mëdyshje çdo formë të radikalizimit, ekstremizmit, antisemitizmit, islamofobinë, diskriminimit, nxitjes së urrejtjes dhe dhunës, pavarësisht prejardhjes së autorëve apo ideologjisë që përdoret për t’i justifikuar ato.

KMSHZ/DAIGS riafirmon përkushtimin e saj për parandalimin e këtyre dukurive dhe për bashkëpunim konstruktiv me autoritetet kompetente zvicerane, në shërbim të sigurisë publike, kohezionit shoqëror dhe paqes ndërfetare.

Asnjë ideologji fetare apo politike që nxit intolerancën, dhunën dhe urrejtjen nuk mund të pretendojë se përfaqëson vlerat tona.

Ne e konsiderojmë parandalimin e radikalizimit përgjegjësi të përbashkët të familjes, institucioneve arsimore, bashkësive fetare, shoqërisë civile dhe autoriteteve shtetërore. Në këtë drejtim, KMSHZ/DAIGS riafirmon gatishmërinë për bashkëpunim konstruktiv me autoritetet kompetente zvicerane, në shërbim të sigurisë publike dhe kohezionit shoqëror.

Xhamitë dhe institucionet fetare duhet të jenë hapësira të edukimit, tolerancës, dialogut dhe përgjegjësisë qytetare. Ato gëzojnë autonominë e tyre organizative, por kjo shoqërohet edhe me përgjegjësi për deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të tyre.

Ne mbështesim transparencën, vetëvlerësimin dhe respektimin e standardeve demokratike. Megjithatë, përgjegjësia për veprimet e individëve duhet të mbetet individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të xhamive shqiptare dhe mijëra besimtarëve të tyre.

Po ashtu, kundërshtojmë çdo pretendim se parimet që mbrojmë publikisht, ndryshojnë brenda institucioneve tona fetare.

Atë që e themi para autoriteteve dhe shoqërisë zvicerane, e themi edhe në xhamitë tona. Parimet tona nuk ndryshojnë sipas bashkëbiseduesit.

Kundër stigmatizimit, në mbrojtje të dialogut dhe pluralizmit

Historia dhe kultura shqiptare karakterizohen nga një traditë e gjatë e bashkëjetesës ndërmjet muslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, protestantëve, bektashinjve dhe njerëzve pa përkatësi fetare. Ky pluralizëm është një pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë, të cilën dëshirojmë ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj.

KMSHZ/DAIGS shpreh shqetësimin se nëse ndonjë individ ose institucion i përgjithëson të gjithë  imamët, xhamitë dhe besimtarët muslimanë shqiptarë si bartës të një ideologjie të rrezikshme, atëher kjo mund të bëhet shkak  për paragjykime antimuslimane dhe të dëmtojnë kohezionin shoqëror.

Kushtetuta Federale mbron dinjitetin njerëzor, barazinë dhe lirinë e ndërgjegjes e të besimit. Po ashtu, neni 261bis i Kodit Penal zviceran ndalon, në kushtet e përcaktuara me ligj, forma të caktuara të nxitjes publike të urrejtjes dhe diskriminimit për shkak të përkatësisë racore, etnike apo fetare.

Pa paragjykuar vlerësimin juridik të deklaratave konkrete, KMSHZ/DAIGS do t’ia përcjellë shqetësimet e saj Komisionit Federal Kundër Racizmit, në kuadër të mandatit të tij institucional.

Ne u bëjmë thirrje mediave, institucioneve publike, organizatave shoqërore dhe bashkësive fetare që debatin publik ta zhvillojnë me përgjegjësi, duke u mbështetur në fakte, dialog dhe respekt të ndërsjellë.

Lufta kundër ekstremizmit nuk duhet të shndërrohet në burim të ri diskriminimi. Ajo duhet të mbështetet në fakte, në përgjegjësi individuale dhe në respektimin e të drejtave themelore të të gjithëve.

Për një të ardhme të përbashkët

KMSHZ/DAIGS dëshiron që komuniteti musliman shqiptar në Zvicër të vlerësohet mbi bazën e veprimeve, përkushtimit qytetar, respektimit të institucioneve dhe kontributit të tij në shoqëri, e jo përmes përgjithësimeve që nuk pasqyrojnë realitetin e tij.

Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe dëshirojmë të vazhdojmë të kontribuojmë në të ardhmen e saj. Siguria, stabiliteti, mirëqenia dhe prosperiteti i Zvicrës janë edhe interesat tona si qytetarë dhe banorë të këtij vendi.

Mbrojtja e lirive individuale, respektimi i pluralizmit fetar dhe lufta kundër çdo formë ekstremizmi janë pjesë të pandashme të të njëjtit angazhim për një shoqëri demokratike, të lirë, të sigurt dhe të hapur.

Nuk kërkojmë që të mos kritikohemi. Kërkojmë që të mos paragjykohemi. Jemi pjesë e shoqërisë zvicerane dhe duam të vazhdojmë të kontribuojmë në të.

Me këtë bindje dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Kushtetutës, demokracisë, sigurisë dhe vlerave të Zvicrës, KMSHZ/DAIGS do të vazhdojë të punojë për forcimin e bashkëjetesës, dialogut, mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet të gjithë qytetarëve.

KOMUNITETI MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR (KMSHZ/DAIGS)

Kryesia e KMSHZ-së,

Badenerstrasse 565b
8048 Zürich

Kontakt për media:
info@daigs.ch

The post Komuniteti Musliman Shqiptar kundërshton stigmatizimin e xhamive shqiptare në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Mbrëmje letrare në Vjenë, shkrimtarët shqiptarë prezantojnë krijimtarinë e tyre

07.11.2026

Pse një orë mësimi në shkollë zgjat 45 minuta?

09.11.2026

Aleanca kritikon Qeverinë Kurti: Po e përmbyllni javën me shkelje e skandale

07.11.2026

Zvicra refuzon statusin e mbrojtjes për 286 ukrainas, mes tyre 123 fëmijë

09.11.2026