KOSOVA

Kosova pa taksë për karbonin, përball faturës së ndotjes

Kosova.Today ·

Kosova vazhdon të prodhojë pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga linjiti, por ende nuk ka vendosur një mekanizëm vendor që i ngarkon emetimet e karbonit me kosto financiare. Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia kanë mekanizma tatimorë...

Kosova vazhdon të prodhojë pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga linjiti, por ende nuk ka vendosur një mekanizëm vendor që i ngarkon emetimet e karbonit me kosto financiare. Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia kanë mekanizma tatimorë, ndërsa Mali i Zi zbaton sistemin e tregtimit të emetimeve.

Shkruan: Kaltrina AHMETI

Kosova nuk paguan ende një çmim vendor për karbonin që emetohet gjatë prodhimit të energjisë elektrike dhe industrisë. Ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike po i shtyjnë gjithnjë e më shumë vendet të kërkojnë mënyra për ta bërë ndotjen më të kushtueshme për ata që e shkaktojnë. Një prej instrumenteve kryesore është çmimi i karbonit, përmes të cilit bizneset dhe industria paguajnë në varësi të sasisë së gazrave serrë që emetojnë.

Qëllimi është që ndotja të mos mbetet një kosto që bartet nga shoqëria dhe qytetarët, por të përfshihet në llogaritë ekonomike të prodhuesve. Në këtë mënyrë synohet të nxiten investimet në teknologji më të pastra dhe kalimi gradual drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Në Kosovë, mungesa e taksës së karbonit ngre pyetjen se sa i përgatitur është vendi për këtë proces, pse zbatimi është shtyrë dhe kush do ta paguajë koston kur një mekanizëm i tillë të vendoset.

Sa mund të kushtojë karboni për prodhimin e energjisë?

Një nga çështjet më të ndjeshme është ndikimi që një taksë ose çmim i karbonit mund të ketë në koston e prodhimit të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe, më pas, në faturat e konsumatorëve.

Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), aktualisht tarifat e energjisë elektrike në Kosovë nuk përfshijnë kosto të karbonit, pasi një taksë e tillë nuk ekziston. Një kosto e tillë do të reflektohej në çmimin e energjisë vetëm nëse vendoset me ligj dhe bëhet pjesë e kostos së prodhimit. Rreziku ekonomik lidhet drejtpërdrejt me faktin se KEK-u prodhon energji duke përdorur linjitin. Për këtë arsye, vendosja e një çmimi të karbonit do të sillte kosto shtesë për çdo megavat-orë energji të prodhuar.

Në përgjigjen për këtë çështje, ZRRE-ja i referohet analizave rajonale, sipas të cilave, nëse çmimi i karbonit do të ishte rreth 80 euro për ton CO₂, kostoja shtesë për prodhimin e energjisë nga linjiti do të mund të arrinte rreth 70 deri në 80 euro për megavat-orë (MWh).
Kjo shifër merr rëndësi të veçantë kur krahasohet me çmimin aktual me të cilin KEK-u ia shet energjinë Furnizuesit të Shërbimit Universal. Sipas ZRRE-së, ky çmim është 29.50 euro për MWh.

Pra, në skenarin e përmendur nga rregullatori, kostoja shtesë e karbonit do të ishte dukshëm më e lartë se çmimi aktual i shitjes së energjisë nga KEK-u.

Kjo nuk do të thotë se faturat e qytetarëve do të rriteshin automatikisht për të njëjtën shumë. Ndikimi përfundimtar do të varej nga niveli i çmimit të karbonit, mënyra e zbatimit të tij, periudha e tranzicionit dhe vendimet rregullatore për mënyrën se si kostot do të reflektoheshin në tregun e energjisë.

ZRRE-ja vlerëson se ndikimi mund të zbutet nëse mekanizmi vendoset gradualisht dhe nëse të hyrat e mbledhura përdoren për investime në burime të ripërtëritshme dhe për mbështetjen e konsumatorëve në nevojë. Kjo e bën vendimtare jo vetëm pyetjen se sa do të jetë çmimi i karbonit, por edhe mënyrën se si do të përdoren të hyrat nga ai. Pa një mekanizëm transparent të riinvestimit dhe pa mbrojtje për familjet me të ardhura të ulëta, një politikë e tillë mund të krijojë presion shtesë mbi konsumatorët.

Ministria e Mjedisit e pranon se baza ligjore nuk është konsoliduar

Përgjigjet e institucioneve tregojnë se Kosova ende nuk ka një model të përcaktuar për zbatimin e çmimit të karbonit.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e përshkruan Kosovën në fazë të hershme të përgatitjeve dhe pranon se ende nuk është konsoliduar baza ligjore që e rregullon këtë fushë. Sipas Ministrisë, pas vendosjes së taksës, ndikimi më i madh pritet të jetë në sektorin e energjisë dhe në industri, por do të preken edhe qytetarët si konsumatorë të energjisë. Në këtë pikë, përgjigjja e Ministrisë kërkon një sqarim të mëtejshëm teknik.

Sipas saj, taksa do të kalkulohej në bazë të sasisë së konsumuar, por nuk specifikon nëse bëhet fjalë për një taksë mbi konsumin e energjisë elektrike, për emetimet e lidhura me prodhimin e saj apo për një model tjetër të çmimit të karbonit. Ky dallim është i rëndësishëm, sepse mekanizmat e çmimit të karbonit zakonisht lidhen me sasinë e emetimeve të gazrave serrë, jo thjesht me sasinë e energjisë së konsumuar nga një familje. Në varësi të modelit që do të zgjedhë Kosova, mund të ndryshojnë edhe subjektet që do ta paguajnë koston dhe mënyra se si ajo do të reflektohet te konsumatorët.

ZRRE-ja, ndërkaq, sqaron se Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM) nuk ndikon drejtpërdrejt në faturat e konsumatorëve në Kosovë. Sipas saj, CBAM-i zbatohet për energjinë që eksportohet në Bashkimin Evropian dhe nuk duhet të ngatërrohet me vendosjen e një takse vendore.

Pra, si dy çështje të ndryshme, njëra është kostoja që mund të vendoset në Kosovë për emetimet nga prodhimi i energjisë, ndërsa tjetra është mekanizmi i BE-së që synon të vendosë një kosto për karbonin e përfshirë në disa kategori të produkteve të importuara në tregun evropian.

Strategjitë kanë paraparë përgatitje, por zbatimi ka mbetur prapa

Ligji për Ndryshimet Klimatike, i miratuar në vitin 2024, krijon një kornizë për politikat klimatike, përfshirë monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazrave serrë. Megjithatë, ai nuk e vendos vetvetiu një taksë të karbonit dhe nuk përcakton një çmim që prodhuesit duhet ta paguajnë për emetimet e tyre.

Në dhjetor të vitit 2025 u publikua edhe Udhëzimi Administrativ (QRK nr. 06/2025), që përcakton metodologjinë për monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazrave serrë dhe të informacioneve që lidhen me ndryshimet klimatike në nivel vendi. Ky është një hap në ndërtimin e sistemit të matjes dhe raportimit, por nuk përbën ende një mekanizëm të çmimit të karbonit. Pa të dhëna të besueshme për emetimet, pa sistem monitorimi, raportimi dhe verifikimi dhe pa institucione që mbikëqyrin zbatimin, një skemë e tillë nuk mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 kishte paraparë përgatitjen e Kosovës për vendosjen e çmimit të karbonit dhe përafrimin gradual me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të Bashkimit Evropian (EU ETS). Në këtë drejtim ishin paraparë hapa për hartimin e politikave të dekarbonizimit, përafrimin e rregullave për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale.

Megjithatë, raportimi i progresit për periudhën janar-qershor 2025 nga Ministria e Ekonomisë kishte evidentuar mungesë progresi në disa prej këtyre aktiviteteve, përfshirë strategjinë afatgjatë të dekarbonizimit dhe ndërtimin e sistemit institucional për zbatimin e rregullave të monitorimit dhe raportimit. Këto vlerësime i përkasin gjysmës së parë të vitit 2025 dhe duhen lexuar në kontekstin e asaj periudhe. Miratimi i udhëzimit administrativ në dhjetor të po atij viti përbën një hap të mëvonshëm, por nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e vendosjes së çmimit të karbonit.

Një tjetër sinjal për paqartësinë e drejtimit politik të Kosovës është qëndrimi i paraqitur në dokumentin përmbledhës të Këshillit Ministror Joformal të Komunitetit të Energjisë, më 17 korrik 2025. Në të evidentohet se Kosova kishte deklaruar se në atë kohë nuk kishte synim të vendoste një instrument të çmimit të karbonit.

Ky qëndrim kërkon të shihet përballë objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022-2031, e cila kishte paraparë përgatitjen e vendit për një mekanizëm të tillë dhe përafrimin me politikat evropiane. Nëse strategjia përcaktonte një drejtim për përgatitjen e çmimit të karbonit, ndërsa në nivel rajonal Kosova deklaronte se nuk kishte synim të vendoste një instrument të tillë, mbetet e nevojshme të sqarohet nëse ky pozicion ka ndryshuar, nëse është shtyrë vendimmarrja apo nëse Qeveria po shqyrton një model tjetër.

171 ditë me ajër mbi kufijtë e lejuar

Se çështja e ndotjes nuk është vetëm një debat për politikat e ardhshme, por një problem që tashmë ndikon në jetën e qytetarëve, e dëshmon raporti i Avokatit të Popullit për cilësinë e ajrit në Kosovë, i publikuar më 10 nëntor 2026.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, të përfshira në raport, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit. Përqendrimet më të larta janë regjistruar kryesisht gjatë sezonit dimëror.

Nga ana tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Raporti i Avokatit, nuk e kufizon problemin vetëm te burimet e ndotjes. Ai evidenton sfida në zbatimin e legjislacionit, mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, si dhe nevojën për forcimin e monitorimit dhe koordinimit ndërinstitucional
.
Këto gjetje lidhen drejtpërdrejt me debatin për çmimin e karbonit, por nuk duhen ngatërruar me të. Grimcat PM₁₀ dhe dioksidi i karbonit janë ndotës të ndryshëm, me ndikime dhe mekanizma të ndryshëm rregullimi. Megjithatë, varësia nga lëndët djegëse fosile dhe dobësitë në kontrollin e ndotjes tregojnë se Kosova ka nevojë për një politikë më të gjerë dhe më efektive të mbrojtjes së mjedisit.

Në profilin e Kosovës, në raportin “Mjedisi i Evropës 2025” (Europe’s Environment 2025) të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, sektori i energjisë vlerësohet se përbënte rreth 87 për qind të emetimeve të gazrave serrë, bazuar në inventarin e vitit 2021. Pjesa më e madhe e këtyre emetimeve lidhet me djegien e lëndëve fosile, transformimin e energjisë, industrinë dhe transportin.

Kjo e bën sektorin energjetik një nga pikat kryesore të çdo politike për uljen e emetimeve. Por, siç tregojnë edhe gjetjet e Avokatit të Popullit, ulja e ndotjes kërkon më shumë sesa vendosjen e një çmimi financiar. Kërkon monitorim të vazhdueshëm, inspektim efektiv dhe zbatim të ligjeve ekzistuese.

Çfarë kanë bërë vendet e rajonit?

Ndryshe nga Kosova, disa vende të rajonit kanë ndërmarrë hapa konkretë për vendosjen e mekanizmave të çmimit të karbonit.
Serbia, nga 1 janari 2026, ka vendosur taksën prej katër eurosh për ton të emetimeve të CO₂ ekuivalent. Ajo përfshin disa sektorë industrialë, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike, çimentos, hekurit, çelikut dhe aluminit.

Shqipëria ka një taksë karboni prej 14.59 eurosh për ton, sipas të dhënave të publikuara nga Tax Foundation Europe për prillin 2026.
Mali i Zi, ndërkaq, zbaton sistemin e tregtimit të emetimeve (ETS), me një çmim të raportuar prej rreth 24 eurosh për ton CO₂ ekuivalent.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë është planifikuar zhvillimi i një sistemi të tregtimit të emetimeve, ndërsa Maqedonia e Veriut ka shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një takse të karbonit.

Për Kosovën, raporti i Komunitetit të Energjisë për gatishmërinë ndaj mekanizmit CBAM, i publikuar në vitin 2025, evidentonte se vendi nuk kishte planifikuar vendosjen e një sistemi të çmimit të karbonit.

Krahasimi tregon se Kosova ende nuk ka një instrument të tillë, ndërsa vendet e tjera kanë filluar të krijojnë mekanizma të ndryshëm. Megjithatë, çmimet nuk janë plotësisht të krahasueshme, pasi ndryshojnë sektorët që mbulohen, mënyra e llogaritjes dhe lloji i instrumentit.
Mungesa e një çmimi të karbonit nuk është rezultat i mungesës së objektivave në dokumentet strategjike.

Strategjia e Energjisë e Kosovës 2022-2031 kishte paraparë përgatitjen e vendit për vendosjen e çmimit të karbonit dhe përafrimin gradual me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të Bashkimit Evropian (EU ETS). Në këtë drejtim ishin paraparë hapa për krijimin e sistemit të monitorimit, raportimit dhe verifikimit të emetimeve, si dhe për ndërtimin e kapaciteteve institucionale.

Ligji për Ndryshimet Klimatike, i miratuar në vitin 2024, krijoi bazën ligjore për zhvillimin e politikave klimatike. Ndërsa në dhjetor të vitit 2025 u publikua Udhëzimi Administrativ QRK nr. 06/2025, që përcakton metodologjinë për monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazrave serrë.

Megjithatë, këto hapa nuk nënkuptojnë se Kosova e ka vendosur çmimin e karbonit. Ato krijojnë kushtet për matjen dhe raportimin e emetimeve, por ende nevojitet vendimmarrje për instrumentin financiar, sektorët që do të mbulohen dhe mënyrën e zbatimit.

Një tjetër element që tregon paqartësinë e politikës së Kosovës është qëndrimi i paraqitur në dokumentin përmbledhës të Këshillit Ministror Joformal të Komunitetit të Energjisë, më 17 korrik 2025. Në atë dokument evidentohet se Kosova kishte deklaruar se nuk kishte synim të vendoste një instrument të çmimit të karbonit. Kjo paraqet një mospërputhje me drejtimin e paraparë në Strategjinë e Energjisë, e cila kishte përcaktuar përgatitjen për një mekanizëm të tillë.

CBAM-i e vendos industrinë kosovare përballë një realiteti të ri

Ndërsa Kosova vazhdon të diskutojë për vendosjen e një mekanizmi vendor të çmimit të karbonit, Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën përfundimtare të zbatimit të Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij, i njohur si CBAM.

Mekanizmi ka hyrë në fuqi në fazën përfundimtare nga 1 janari 2026, pas një periudhe kalimtare raportimi që kishte nisur në tetor 2023 dhe kishte përfunduar në fund të vitit 2025. CBAM-i përfshin disa kategori produktesh me intensitet të lartë të emetimeve, ndër to çimenton, hekurin dhe çelikun, aluminin, plehrat kimike, energjinë elektrike dhe hidrogjenin. Për Kosovën, ndikimi potencial lidhet veçanërisht me sektorët që eksportojnë produkte të përfshira në këtë mekanizëm. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rreth 34 për qind e eksporteve të vendit në vitin 2024 kishin destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Kjo e bën të rëndësishëm vlerësimin e ekspozimit të industrisë vendore ndaj kostove të reja që lidhen me emetimet.

CBAM-i nuk është një taksë që u vendoset automatikisht të gjithë prodhuesve kosovarë. Detyrimi ligjor në BE u takon importuesve të autorizuar në tregun evropian, ndërsa ndikimi te prodhuesit nga Kosova mund të shfaqet përmes kostove të eksportit, kërkesave për raportim dhe konkurrueshmërisë së produkteve.

Një element i rëndësishëm është se, sipas rregullave të CBAM-it, mund të merret parasysh çmimi i karbonit i paguar efektivisht në vendin e origjinës, nëse plotësohen kushtet dhe dokumentohen pagesat përkatëse. Kjo do të thotë se një mekanizëm vendor mund të ketë rëndësi për eksportuesit kosovarë, por nuk krijon automatikisht përjashtim nga CBAM-i.

Në mungesë të një sistemi vendor, kompanitë kosovare mund të përballen me vështirësi shtesë për të dokumentuar emetimet dhe për t’u përshtatur me kërkesat e tregut evropian. Për sektorët me konsum të lartë të energjisë, kjo mund të ndikojë në koston dhe konkurrueshmërinë e produkteve.

Çështja e çmimit të karbonit është ngritur edhe nga organizatat e shoqërisë civile. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës në vitin 2022, kishte organizuar një diskutim të posaçëm për taksën e karbonit, sfidat dhe mundësitë që ajo paraqet për politikat e vendit.

Rekomandimet e dala nga ky diskutim përfshinin përgatitjen e legjislacionit dhe akteve nënligjore, krijimin e një fondi ekologjik dhe vendosjen e mekanizmave që do të zbutnin pasojat negative për sektorët dhe grupet e prekura. Një prej propozimeve ishte që të hyrat nga çmimi i karbonit të riinvestoheshin në energjinë e gjelbër dhe transportin e qëndrueshëm.

Më 17 qershor 2026, Instituti GAP publikoi analizën “Politikat e Gjelbra Industriale: Analizë e Kontekstit të Kosovës”. ku trajtohen sfidat e politikave industriale të gjelbra dhe kostot e mundshme të mosveprimit. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë i kushtohet varësisë nga qymyri, zhvillimit të ngadalshëm të burimeve të ripërtëritshme dhe ndikimit që CBAM-i mund të ketë në industrinë vendore. Këto qëndrime e vendosin çmimin e karbonit në një kontekst më të gjerë të politikave industriale dhe sociale. Një mekanizëm i tillë nuk mund të funksionojë vetëm si instrument për mbledhjen e të hyrave. Ai duhet të shoqërohet me masa që ndihmojnë ndërmarrjet të ulin emetimet, konsumatorët të përballojnë tranzicionin dhe sektorin energjetik të investojë në burime alternative. Nëse të hyrat nuk orientohen drejt këtyre objektivave, rreziku është që çmimi i karbonit të perceptohet vetëm si një barrë e re financiare, pa përmirësim të dukshëm të gjendjes mjedisore.

Nga raportimi i problemeve te përgjegjësia për zgjidhjen e tyre

Raporti e fundit të Avokatit të Popullit për ajrin thuhet se problemi është i njohur prej vitesh, por masat për zgjidhjen nuk kanë avancuar me ritmin e nevojshëm. Ky vlerësim përmbledh edhe një pjesë të sfidës që Kosova e ka në politikën e energjisë dhe të karbonit.
Nuk mjafton të parashihet çmimi i karbonit në një strategji, të miratohet një ligj për ndryshimet klimatike apo të përcaktohen objektiva për energjinë e ripërtëritshme. Nevojiten sisteme funksionale të monitorimit, institucione me staf dhe pajisje të mjaftueshme, inspektim efektiv, koordinim ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal dhe mekanizma të qartë të përgjegjësisë.
Në sektorin energjetik, kërkon investime në burime të ripërtëritshme, modernizim të sistemit dhe përgatitje për mekanizmat e rinj të tregut evropian.

Në sektorin e ajrit, kërkon kontroll të burimeve të ndotjes, zbatim të standardeve dhe masa të qëndrueshme për uljen e emetimeve. Këto janë politika që duhet të ecin së bashku. Vendosja e një çmimi të karbonit pa përgatitje institucionale dhe pa alternativa energjetike mund të rrisë kostot për prodhuesit dhe konsumatorët. Por edhe shtyrja e vazhdueshme e reformave mund të rrisë ekspozimin e industrisë ndaj rregullave evropiane dhe të zgjasë varësinë nga një model energjetik me emetime të larta.

Kosova duhet të vendosë jo vetëm nëse do ta taksojë karbonin, por çfarë do të bëjë me të

Debati për taksën e karbonit në Kosovë nuk mund të reduktohet në pyetjen nëse ajo do t’i rrisë faturat e energjisë elektrike. Pyetja më e gjerë është se si do të bëhet tranzicioni nga një ekonomi e mbështetur në linjit drejt një sistemi me më pak emetime, pa krijuar tronditje të papërballueshme për konsumatorët dhe bizneset.

ZRRE-ja e pranon se një çmim i karbonit do të mund të rriste ndjeshëm koston e prodhimit nga linjiti. Ministria e Mjedisit konfirmon se Kosova është në fazën e hershme të përgatitjeve dhe se baza ligjore ende nuk është konsoliduar. Ndërkohë, raportet e Avokatit të Popullit tregojnë se edhe në fushat ku ekzistojnë ligje, monitorim dhe institucione përgjegjëse, zbatimi vazhdon të jetë problem.
Kjo e bën të domosdoshëm një qëndrim të qartë institucional: A do të vendosë Kosova një mekanizëm vendor të çmimit të karbonit, kur do ta bëjë këtë dhe si do të sigurojë që barra të mos bartet vetëm nga qytetarët dhe ndërmarrjet?

Po aq e rëndësishme është të përcaktohet se si do të përdoren të hyrat, çfarë mbështetjeje do të marrin familjet e cenueshme, si do të ndihmohet industria të ulë emetimet dhe çfarë investimesh do të bëhen për ta zvogëluar varësinë nga linjiti.

Aktualisht, Kosova nuk paguan një çmim vendor për karbonin e emetuar gjatë prodhimit të energjisë. Por kostoja e ndotjes nuk është zhdukur. Ajo shfaqet në shëndetin publik, në degradimin e mjedisit, në dobësitë e infrastrukturës dhe në sfidat e konkurrueshmërisë ekonomike. Raportet e fundit për ajrin, e bënë të qartë se problemi nuk është mungesa e paralajmërimeve. Të dhënat për ndotjen ekzistojnë, mangësitë institucionale janë evidentuar dhe rekomandimet janë adresuar. Ajo që vazhdon të mungojë është zbatimi i qëndrueshëm.

Prandaj, sfida e Kosovës nuk është vetëm të vendosë një çmim për karbonin. Por, të ndërtojë një politikë që e bën ndotjen më pak të leverdishme, investimet e pastra më tërheqëse dhe mbrojtjen e mjedisit një përgjegjësi reale të institucioneve, jo vetëm një objektiv në dokumentet strategjike. /ORAinfo/

Ky publikim është përgatitur në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), në kuadër të programit “Innovation and Training Park Prizren”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Qeveria e Kosovës, dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e GIZ-it apo të Qeverive të Kosovës dhe Gjermanisë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Rama: I dyshuari për tjetërsimin e pronave në Prishtinë është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, jo i komunës

13.11.2026

Kërkohet paraburgim për zyrtarin e Komunës së Prishtinës, bllokohen 48 parcela

13.11.2026

Punëtorët e KEK’ut paralajmërojnë protestë të re për javën e ardhshme: Jo të nëpërkëmbur

14.11.2026

Statusi i vendit kandidat për Kosovën, Koopman: Ende s’jemi në atë pikë, Ligji për Specialen, i padobishëm

13.11.2026