Intensifikohen masat për sigurinë rrugore: Policia shton kontrollë me mjete inteligjente dhe dronë

Intensifikohen masat për sigurinë rrugore
Drejtoria e Policisë Rrugore ka njoftuar intensifikimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërsa kontrollët do të bëhen me mjete inteligjente shpejtësate dhe dronë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Masa edhe për fundjavën, për parandalimin e drejtimit të automjeteve në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, në zbatim të porosive të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar monitorimet në akset rrugore nacionale, duke përdorur mjetet inteligjente.
Kontrolle rigoroze edhe në qendrat urbane, për parkimet e gabuara, për drejtimin e automjetit në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për zhurmat e gjeneruara nga marmitat, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit dhe pasagjerët e motomjeteve, si dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit apo mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, në vijat e bardha.
Si rezultat, përgjatë një jave, nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 21 931 masa administrative.
Janë arrestuar 36 drejtues automjetesh, 22 nga të cilët për drejtim në gjendje të dehur dhe 14 pa leje drejtimi.
Në zonat urbane janë vendosur 11 526 masa administrative për parkime të gabuara, ku në dhjetëra raste janë përdorur edhe mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit, të cilat kanë hequr automjetet nga korsitë e dedikuara dhe nga trotuaret, pasi pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Në akset rrugore nacionale janë vendosur 4 775 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara.
Janë vendosur 1 224 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 302 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 789 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1 235 për parakalime të gabuara, 83 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe në gjendje të dehur, 139 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 1 858 për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve.
Drejtoria e Policisë Rrugore, nisur edhe nga fakti që gjatë fundjavës ka fluks të shtuar në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike, ka marrë masa shtesë duke shtuar patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.
Në këtë kuadër, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rregulla të sigurisë rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për të parandaluar ngjarje të rrezikshme në rrugë. Burimi: Drejtoria e Policisë Rrugore



