Mbi 30 mijë orë filmime nga lufta e Kosovës, Esat Shala: Kasetat po dëmtohen

Esat Shala, një fëmijë asokohe në periudhën e luftës së Kosovës. Ka qenë 12 vjeç, kur ai humbi motrën dhe të fejuarin e saj si pasojë e kësaj lufte, por ai posedon materiale shumë të rëndësishme të asaj kohe. Mbi 30 mijë orë filmime të luftës. Shala ka arritur t’u marrë operatorëve të mediave pamjet […]

Mbi 30 mijë orë filmime nga lufta e Kosovës, Esat Shala: Kasetat po dëmtohen

Esat Shala, një fëmijë asokohe në periudhën e luftës së Kosovës.

Ka qenë 12 vjeç, kur ai humbi motrën dhe të fejuarin e saj si pasojë e kësaj lufte, por ai posedon materiale shumë të rëndësishme të asaj kohe.

Mbi 30 mijë orë filmime të luftës. Shala ka arritur t’u marrë operatorëve të mediave pamjet filmike të luftës, duke e bërë të riun ndoshta personin e vetëm që i ka këto filmime ekskluzive.

Lidhur me këtë arkivë të krijuar prej tij, Shala, në një intervistë për emisionin “Opinion”, në Tv Klan, tregon përjetimet e tij nga ato se çfarë ai ka parë në këto filmime.

Fillimisht, Shala ka dashur të ketë filmime në vendet ku ai së bashku me familjen kanë qenë. Sipas tij, operatorët kanë pasur të vështirë ta besonin Shalën pasi ka qenë i vogël kur kërkonte pamjet, si dhe ekzistonte frika se do t’i keqpërdorte.

Ai përmend masakrën e Izbicës, duke sqaruar se në pamje ndodhen të gjithë viktimat të vrarë në mënyrë barbare me sëpatë në kokë. Këto pamje kanë qenë mjaft të vështira për t’u përballuar nga Shala, por ky i fundit shprehet se me forcë i ka parë mbi 2 mijë herë secilin krim

“Kur kam parë masakrën e Izbicës, ka qenë problem të bindja veten e të shikoja prap. Te masakra e Izbicës kanë qenë të gjithë të prerë me sëpata në kokë, ditën kur ka qenë festa e Bajramit. Me kalimin e kohës jam forcuar, e binda veten duke pasur parasysh që shteti i Koosvës nuk ka bërë asgjë për këto krime dhe deri më sot kam arritur të shoh çdo masakër mbi 2 mijë herë”, u shpreh ai.

Por, jo i gjithë materiali është i digjitalizuar. Deri më tani është arritur digjitalizimi i rreth 70%, por mbi 6 mijë regjistrime ndodhen në kaseta, të cilat po dëmtohen me kalimin e kohës. Ende nuk dihet se çfarë përmbajnë këto kaseta.

“Shumicën, mbi 70%, ma ka digjitalizuar një mërgimtar, i cili jeton në Amerikë, nga Gjakova. Mbi 6 mijë e 300 kaseta ende janë në shirit, të padigjitalizuara, që janë duke u dëmtuar. Nuk e di se çfarë kanë brenda, sepse shiriti nuk jeton mbi 12 vite”, tha ai.