Mickoski publikon dokumentin: Qeveria e 2023 LSDM-BDI i hapi dyert Alta Bankës!
Kryeministri Hristijan Mickoski ka publikuar një dokument zyrtar nga mbledhja e Qeverisë së vitit 2023, duke nxjerrë në dritë faktin se ish-pushteti i LSDM-së dhe BDI-së kishte miratuar hyrjen e Avokaturës së Shtetit në marrëdhënie...
Kryeministri Hristijan Mickoski ka publikuar një dokument zyrtar nga mbledhja e Qeverisë së vitit 2023, duke nxjerrë në dritë faktin se ish-pushteti i LSDM-së dhe BDI-së kishte miratuar hyrjen e Avokaturës së Shtetit në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e afaristit serb Davor Macura.
Gjatë dëgjimit mbikëqyrës në Kuvend për situatën në Alta Banka Manastir, Mickoski iu përgjigj akuzave të opozitës duke argumentuar se pikërisht qeverisja e kaluar i dha dritën jeshile shitjes së aksioneve shtetërore ndaj këtij kapitali.
„Unë do të doja të prezentoj një dokument këtu para opinionit publik maqedonas, e ai është një fragment nga Procesverbali nga mbledhja e 194-të e Qeverisë e mbajtur më 24 tetor 2023. Atëherë kryetar i Qeverisë ishte zotëria Dimitar Kovaçevski dhe në vetë mbledhjen e Qeverisë hapej tema për Alta Banka AD Beograd, gjegjësisht ministri i atëhershëm i financave, Fatmir Besimi, doli me informacion në të cilin i kërkonte Qeverisë t’i miratojë Avokaturës së Shtetit të hyjë në marrëdhënie afariste me Alta Banka – Serbi”, theksoi Mickoski.
Sipas tij, që në vitin 2023, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në mbledhje të qeverisë i jep udhëzim Avokaturës së Shtetit të hyjë në marrëdhënie afariste me Alta Bankën me të njëjtin këtë pronar, Davor Macura.
“Këtu shtrohet pyetja se a e dinin ata atëherë se kush është Davor Macura apo kur vendosën t’ia vendosnin në shitje aksionet që i posedon shteti në bankën që e blen Davor Macura, a kishin ndonjë ide se ai është kapital rus, para ‘të pista’, para të fituara në mënyrë kriminale apo atëherë kjo nuk vlente? Në atë mbledhje të qeverisë ishte e pranishme gjysma e grupit parlamentar të LSDM-së në cilësinë e anëtarëve të Qeverisë. Së pari kryetari i qeverisë, Dimitar Kovaçevski, pastaj aty ishte i pranishëm Oliver Spasovski si ministër i punëve të brendshme, ministër i bujqësisë ishte Ljupço Nikolovski, ministër i transportit ishte Bllagoj Boçvarski dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë. Të gjithë ata kanë votuar për t’i dhënë të drejtë Avokaturës së Shtetit që aksionet që janë pronë e Maqedonisë në bankën që e blen Davor Macura, t’ia tjetërsojnë Davor Macurës.
I çfarë lloji ishte kapitali i Alta Bankës në vitin 2023 apo atëherë kishte rrethana të tjera dhe pushteti i atëhershëm kishte bashkëpunim të ngushtë me Aleksandar Vuçiqin? Dëshiroj që opinioni publik maqedonas ta dijë qartë këtë, se Maqedoninë si shtet në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Macurës e fut Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, me propozim të ministrit të atëhershëm Fatmir Besimi, në mbledhjen ku votuan gjysma e grupit parlamentar të LSDM-së në cilësinë e anëtarëve të asaj qeverie.“, theksoi Mickoski.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.