Pamje nga aksioni ku u konfiskuan 45 kg ari në Pejë
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, ka realizuar sot një aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në rajonin e Pejës. Sipas MINTI-t, qëllimi i këtij operacioni ishte


Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, ka realizuar sot një aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në rajonin e Pejës.
Sipas MINTI-t, qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë.
Ministria tha se inspektorët e tregut dhe zyrtarë të institucioneve pjesëmarrëse në këtë aksion kanë evidentuar shkelje të ndryshme.
“Ndalim i përkohshëm i mallit IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore. Sekuestrim i metaleve të çmuara: Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre”, njoftoi MINTI.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut tha se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një tregu të barabartë e të ligjshëm.
“Tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës si dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme. IQMT paralajmëron të gjithë operatorët ekonomikë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa rigoroze ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, tha Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.


