JETA

Në Graz promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999

Kosova.Today ·

Në Graz të Austrisë do të promovohet libri i ish-ambasadorit shqiptar Zef Mazi, “Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, transmeton albinfo.ch. Veprimtaria do të mbahet të premten, më 2 tetor 2026, nga...

Në Graz të Austrisë do të promovohet libri i ish-ambasadorit shqiptar Zef Mazi, “Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, transmeton albinfo.ch.

Veprimtaria do të mbahet të premten, më 2 tetor 2026, nga ora 18:30, në sallën e aktiviteteve të Bibliotekës Shtetërore të Steiermarkut, në adresën Kalchberggasse 2, në Graz.

Libri trajton proceset diplomatike të viteve vendimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe zhvillimet që shoqëruan rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Sipas përshkrimit zyrtar të veprës, autori sjell dokumente, dëshmi dhe analiza mbi diplomacinë e asaj periudhe, me fokus të veçantë te roli i Shqipërisë në çështjen e Kosovës, mundësitë e veprimit të një shteti të vogël përballë një krize të madhe ndërkombëtare dhe raporti ndërmjet politikës dhe së drejtës ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet vendimmarrjeve diplomatike që zhvilloheshin shpesh larg vëmendjes publike, por që, sipas autorit, ndikuan në zhvillimet historike të asaj kohe. Mazi mbështetet në materiale arkivore dhe në përvojën e tij personale si diplomat dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i proceseve ndërkombëtare të viteve 1990.

Në kuadër të promovimit pritet të diskutohen edhe pyetje mbi rolin e Vjenës në hapjen e kanaleve diplomatike për Kosovën gjatë viteve ’90, kontributin e diplomatëve të Shqipërisë në internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në proceset që i paraprinë pavarësisë.

Zef Mazi ka shërbyer si ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike dhe OSBE-së, fillimisht nga viti 1992 deri më 1997 dhe më pas nga viti 2002 deri më 2007. Më vonë, nga viti 2007 deri më 2011, ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Promovimi organizohet në bashkëpunim nga Instituti Albanologjik në Graz, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”./Albinfo.ch

The post Në Graz promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Tragjedi në Itali, vdes 47 vjeçari nga Tetova

15.11.2026

Me shqiponjën dykrenare në diplomim! Adem Dalipi nga Kërçova krenon shqiptarët në Amerikë

13.11.2026

Aldi Suisse tërheq nga shitja mini filetot e pulës, konstatohet prania e listerisë

13.11.2026

Propozimi për pagë minimale prej 5 mijë frangash në Zvicër ngjall reagime

12.11.2026