Rama: Prokurorët janë turrur në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë të gjatë para kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të PS-së ditën e sotme në takimin e zgjeruar që zhvilloi. Ai nuk kurseu as kritikat për opozitën dhe gjithashtu Prokurorinë, duke thënë se njëra hedh bomba artizanale dhe tjetra shpërndan fletë-arresti në të gjithë Shqipërinë, duke përmendur si shembull një […]
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalë të gjatë para kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të PS-së ditën e sotme në takimin e zgjeruar që zhvilloi.
Ai nuk kurseu as kritikat për opozitën dhe gjithashtu Prokurorinë, duke thënë se njëra hedh bomba artizanale dhe tjetra shpërndan fletë-arresti në të gjithë Shqipërinë, duke përmendur si shembull një punonjëse administrate që jo vetëm lufton me kancerin prej 5 vitesh, por ka edhe një fëmijë në gji, që po përballet me hetimet e SPAK.
Ai nënvizoi se prokuroret e rretheve po bëhen prerje të fletë arresteve pa hesap apo “në tufa”, ndërkohë qe sipas tij kjo vjen per faktin se duan te arrijnë nje mandat ne garën e ardhshme per SPAK.
“Sot rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne e kemi historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe forcën tonë. Shqipëria në BE nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit, por është historia e vendit. Dhe nuk është e lehtë të përqendrohesh përballë kësaj zhurme të përditshme e të përnatshme të bombave artizanale çdo natë që plasin tenxhere më tenxhere.
Por ka filluar edhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm dhe të afërt të SPAK, duke prerë fletë arreste me tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon, hetohen në gjendje të lirë”, tha Rama.
Dhe më tej vijoi me shembuj konkretë:
“Siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit, ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletësh të prera nuk u kursye as një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me fëmijën në gji. Apo duke shpërndarë fletë-thirrje në prokurori që i ngjajnë biletave të teatrit”.
Kreu i mazhorancës nënvizoi se Shqipëria ndodhet para një testi kritik që duhet ta kalojë me forcë dhe përqendrim, edhe përballë kësaj situate të vështirë me bombat artizanale reale dhe figurative, duke akuzuar opozitën dhe median.
“Aktualisht që flasim, ne kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme. Që janë një test shumë i lartë dhe kërkojnë përgatitje shumë të lartë, sepse kanë kërkuar edhe vite për ta kaluar, por ne duhet ta kalojmë për disa muaj e kjo do forcë. E kjo do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Jam besimplotë se do e kalojmë këtë test pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe bombave artizanale dhe këtu se kam fjalën vetëm për bombat e opozitës, por edhe për ato që hedhin përpjetë kapakun e tenxheres mediatike dhe me gënjeshtra me lloj lloj boshtrash. Në atë kohë tenxherja e vetme ishte tellalli i qytetit, kurse sot tellalli i gënjeshtrave janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber”, tha kryeministri.
Dhe duke shtuar se përballë kësaj situate, PS-së i duhet përqendrim dhe forcë, ai tha se kërkohet edhe vetëkorrigjim. Ai kërkoi edhe ide nga të pranishmit për të çuar më tej punët e mazhorancës, sepse objektivi i vetëm mbetet Shqipëria në BE në 2030.
“Po ne s’kemi ç’i bëjmë duke qenë në një mejhanhalle të madhe ku jemi dhe as vrapit të madh të gënjeshtrave të botës ndërkohë që me rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit. Ndaj duhet ta rrisim përqendrimin tonë në punët dhe drejtimin e vendit. Të përpiqemi të vetëkorrigjohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe debatojmë së brendshmi hapur. Për t’i bërë gjërat sa më mirë. Por pasi të debatojmë duhet të përqendrohemi vetëm në një pikë dhe asnjë tjetër, Shqipërinë në BE në vitin 2030”, tha kreu i qeverisë.

