Si u shit “Revolucioni Laraman”?!
Shkruan: Naser PAJAZITI E mbani mend “Revolucionin Laraman” të vitit 2016 në Maqedoninë e Veriut. Ishte një model revolte dhe pakënaqësie që kishte tubuar studentë, profesorë, qytetarë dhe politikanë të proviniencave të ndryshme përfshirë...
Shkruan: Naser PAJAZITI
E mbani mend “Revolucionin Laraman” të vitit 2016 në Maqedoninë e Veriut. Ishte një model revolte dhe pakënaqësie që kishte tubuar studentë, profesorë, qytetarë dhe politikanë të proviniencave të ndryshme përfshirë edhe ato etnike, që bashkë me flamujt të lidhur maqedon dhe shqiptar, kishin dal në rrugë për të rrëzuar të keqen – regjimin e Nikolla Gruevskit.
Ky model revolte apo që dikush e quante atëkohë farsë, ishte diçka e re në rajon, para protestave dhe revolucionit studentor në Serbi. Por në thelb dukej se revolta buronte nga poshtë nga qytetari, studenti dhe zërat e tjerë të pakënaqur pushtetin diktatorial të Gruevskit, që ishte një model i stilit vuçiqian të qeverisjes. Ata ishin çuar në këmbë, duke qëndruar nëpër tenda ditë e natë para Qeverisë, dhe ishin me një elan të madh të pamposhtur.
Dhe gjithçka i ishte besuar Zoran Zaevit, një politikan lokalist socialdemokrat me bagazh tregtari dhe atëkohë kryetar i komunës së Strumicës, i cili shfrytëzoi gjithë këtë arsenal përfshirë edhe mbështetjen ndërkombëtare duke arritur cakun e pushtetit.
Ardhja e tij në pushtet kishte edhe një kosto jete, pasi që nata e tmerrshme e 27 prillit ishte jetë a vdekje. Nata e kristaltë e 27 prillit ishte një grushtet i turrur dhe kontrolluar nga grahmat e fundit të Gruevskit, ku u ndërsyen elemente kriminal si dhe turmat e militantëve të helmuar nga duhmat e regjimit në ikje, nën petkun dhe moton e nacional romantizmit kriminal.
Dhe “Revolucioni Laraman” ia doli edhe kësaj radhe duke i dhënë mbështetjen Zaevit si antipod i Gruevskit. Zaevi erdhi në pushtet duke marrë pjesë të Qeverisë BDI-në, parti që ishte pjesë e pushtetit të Gruevskit dhe që mbylli sytë gjithmonë dhe ishte totalisht e pafuqishme kundrejt bëmave famoze dhe proceseve të montuara.
Kjo qeverisje erdhi me premtimin se drejtësia do të rikthehet nga 2% besueshmëri, se do të ktheheshin paratë e vjedhura nga regjimi i Gruevskit e Mijallkovit, se të gjithë hajnat me kollare do përfundonin në burgje, do jepej llogari për gjithçka, do zbardheshin rastet e montuara si plagë e hapur akoma për shqiptarët si “Monstra”, “Lagja e Trimave”, “Alfa”, por edhe shumë afera tjera korruptive, e që gjithçka do hetohej nga një institucion i sapothemeluar që shihej si shpresë nga qytetarët e ajo ishte Prokuroria Speciale.
Lajme me pompozitet për themelimin e saj, njerëzve të zgjedhur në krye të saj. E famshja kryeprokurore Katica Janeva, një prokurore nga provinca bashkë me sidomos koleget e saj u shëndërruan në yje televizive që me entuziazmin e tyre reflektonin shkëndija shprese se më në fund drejtësia do të vjen në këtë vend, që nga pavarësimi ishte një ‘mafia shtet’ me pushtete të korruptuara.
Por ky film përfundoi në plehun e turpit dhe në qelitë e Idrizovës, pasi që tajkunët e krimit shtetëror dhe zinxhirit të lidhur që gjeneruan dhe vodhën miliona e deri në miliarda euro ia dolën, dhe e çuan atë prapa grilave, në vend që ajo ti çoj ata. Mbahet mend skandali “Katica via Boki” me 1.5 milionë euro që ishin dhënë, dhe 8 milionët e tjera që ishin bërë gati për të ndërprerë një procedurë penale. Sistem i korruptuar, shtet alla afrikan!
Dhjetëra rastet e procesuara me qindra të dyshuar dhe të akuzuar, nuk çuan askënd në burg. Nikolla Gruevski u arratis në Budapest, Sasho Mijallkov i kalonte ditët në katin e 5-të në hotelin “Marriot”, Orce Kamçev me pasaportën e tij shëtiste dhe shëtit botën e deri tek Gordana Jankullovska, e cila po ashtu nuk vuajti asnjë ditë burg.
Ky është rezultati i gjithë punës së këtij institucioni që vetëm për vitin 2018 harxhoi mbi 3,2 milionë euro, me një staf prej dhjetëra të punësuarisht me rroga të majme dhe benefite të ndryshme.
Shembja e Prokurorisë Speciale ishte dëmi kolateral gati i pariparueshëm dhe një alarm i kobshëm që vrau shpresën për reformën në drejtësi.
Dhe ky optimizëm dhe pritjet e mëdha u vëniten brenda një kohe të shkurtër, që përfunduan në zhgënjim dhe mashtrim, sepse nuk kishte betejë të vërtetë me krimin dhe kokat e regjimit. U pa qartë se në mes ishin pazare dhe prapaskena që më pas dolën lakuriq. Ata që po ndiqnin kriminelët, në fund nga joshjet dhe tundimet përfunduan në burgje, në vepra dhe allaverishe tjera.
E çka politikanë tanë shqiptarë, sërish ishin shndërruar në “voajerë” dhe “tërpijana” për pushtet e allashverishe. Gjithnjë si pjesë e skenareve pikë e pesë, secili prej tyre allashtisej për arritje me idealin përpara në emër të popullit të mbushin xhepat. Nuk u zbuluan rastet e montuara. U sollën ligje me instalacione që përfundonin në labirinthe me të panjohura dhe pa zgjidhje, e që në çdo kohë mund të kontestoheshin dhe bllokoheshin nga sistemi i kontrolluar i pushtetit apo nga “dihet kush është baba”.
Krimi sërish kapi drejtësinë, sepse u bënë pazare dhe u godit sërish në palcë zotimi për shtetin e së drejtës. Pushteti i Zaevit u shit por bëri edhe kompromise e pazare me ish-pushtetarët. U ndalën “bombat” e përgjimeve, dhe ky ishte dështimi i parë përmes një selektiviteti, ku linçoheshin figura publike, përmes publikimeve që më shumë përbënin shou me përmbajtje epshesh, kushtëzimesh dhe hakmarrjesh, se sa skandale që mund të lëkundin shtetin dhe skenën politike.
Një pjesë e regjimit të Gruevskit u instaluan sërish në qeverisje, përfshirë edhe ministra dhe të tjerë duke marrë pozita të larta shtetërore dhe përmes këtyre pozicioneve rridhnin sekrete, informata dhe gjithçka blihej me paratë e vjedhura nga populli.
Ish-pushtetarët kriminelë natën arrestoheshin, ditën liroheshin, apo pas një jave arratiseshin, duke marrë si shembull arratisjen e Nikolla Gruevskit, e që është shumë e qartë se dikush e la të ikë dhe është naive të mendohet se shteti nuk ka gisht në gjithë këtë qull.
Mijallkovi në vend të qelive që duhej të meritonte përfundoi në hotel, dhe absurditeti është se ai tërë kohën e vuajtjeve të dënimit i kaloi në Marriot, dhe një pjesë në burgun e hapur përplotë komoditet në Strugë, ku siç thuhet ditën nuk i mungonin as pishinat e as liqeni.
U lanë të lirë tajkunët e krimit që kishin thithur miliona para nga shteti, përmes keqpërdorimeve të ndryshme. Nuk u prekën mediat zhurmuese dhe altoparlantët e pushtetit të Gruevskit, si llatasat e “putanat” e tjera të medias. Përkundrazi me ta u bënë pazare dhe më pas edhe partneritete, duke vazhduar në avazin e vjetër. Disa prej tyre iu ndërprenë akuzat, iu zbutën dënimet me kushte dhe gjithçka kaloi në heshtje. Pra u bë edhe një kompromis me zullumin. Ka edhe shumëçka tjetër për të shkruar, por do t’i ngelet historisë!
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.