SHQIPERIA

Demo: Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës, por pjesë e derës së saj kryesore. Siguria është përgjegjësi e përbashkët

Kosova.Today ·

Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e arkitekturës europiane të sigurisë dhe një partnere aktive në përballimin e kërcënimeve që kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Me këtë mesazh, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, çeli sot në...

Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e arkitekturës europiane të sigurisë dhe një partnere aktive në përballimin e kërcënimeve që kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Me këtë mesazh, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, çeli sot në Tiranë konferencën ndërkombëtare “Siguria rajonale: Rreziqe të reja, bashkëpunim më i fortë”, ku morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Italisë, Ambasadës Italiane, Delegacionit të Bashkimit Europian dhe delegacione të vendeve të rajonit.

“Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës. Ne jemi pjesë e derës së saj kryesore. Kjo derë duhet të jetë e sigurt”, u shpreh ministri Demo, duke theksuar se siguria e Shqipërisë është e pandashme nga siguria e Europës dhe se asnjë vend nuk mund t’i përballojë i vetëm kërcënimet e reja.

Gjatë fjalës së tij, ministri vuri në dukje se krimi ndërkombëtar, trafikimi i paligjshëm, kërcënimet kibernetike dhe format e reja të kriminalitetit zhvillohen përtej kufijve dhe shpesh lëvizin më shpejt se institucionet. Për këtë arsye, ai nënvizoi nevojën për institucione më të forta, shkëmbim të shpejtë informacioni, kapacitete teknologjike dhe operacione të përbashkëta.

Progresi i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar është evidentuar edhe në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2026. Ministri Demo veçoi tri zhvillime pozitive: thellimin e bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së dhe agjencitë europiane, rritjen e operacioneve kundër narkotikëve, si dhe shtimin e patrullimeve të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve për gjurmimin e aseteve kriminale.

Gjithashtu, ai nënvizoi përparimin në forcimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik. Megjithatë, ministri theksoi se raporti evidenton edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në hetimet financiare, rezultatet në ndjekjen dhe dënimin e veprave penale financiare, përfshirë ato që lidhen me krimin kibernetik, trafikimin dhe armëmbajtjen e paligjshme. Sipas tij, rëndësi të veçantë kanë edhe rritja e kapaciteteve teknike për shqyrtimin e provave digjitale dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.

Në këtë kontekst, Demo iu referua edhe takimit të ministrave të Brendshëm të rajonit, të zhvilluar javën e kaluar në Budva, ku u diskutuan sfidat e përbashkëta të sigurisë në epokën digjitale, mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi online, mashtrimet në internet, trafikimi i migrantëve dhe zbatimi i Paktit për Migracionin dhe Azilin, në bashkëpunim me agjencitë europiane Frontex, EUAA dhe Europol.

Një tjetër element i rëndësishëm i konferencës ishte prezantimi i gjetjeve paraprake të instrumentit rajonal “Secure Meter 2026”, i cili mat perceptimin e qytetarëve për sigurinë dhe nivelin e besimit në rajon. Ministri Demo vlerësoi rëndësinë e të dhënave dhe evidencave të besueshme për hartimin e politikave më efektive dhe identifikimin e fushave ku kërkohet ndërhyrje më e madhe institucionale.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, ministri theksoi rëndësinë strategjike të Partneritetit të Sigurisë BE–Ballkani Perëndimor, duke nënvizuar se siguria në të dy anët e Adriatikut është e ndërlidhur. “Shqipëria nuk kërkon të mbrohet nga problemet e Europës. Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes së tyre”, deklaroi Demo, duke rikonfirmuar angazhimin e vendit për të kontribuar në një hapësirë europiane më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më reziliente.

Në përfundim, ministri nënvizoi se bashkëpunimi në fushën e sigurisë nuk është thjesht një prioritet, por kusht për zhvillimin ekonomik, investimet, përparimin dhe integrimin europian.

The post Demo: Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës, por pjesë e derës së saj kryesore. Siguria është përgjegjësi e përbashkët appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Transferimi i Erion Veliajt, flet drejtoresha e Burgjeve Sadleva Bodo

09.11.2026

Përplasen dy automjete në Gramsh, plagosen dy persona

10.11.2026

Arrestohet autori i dyshuar i grabitjes së bankës në Komunën e Parisit, dyshohet për një tjetër grabitje në të njëjtën zonë

09.11.2026

Rama takohet me Macronin në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes (VIDEO)

09.11.2026