Studentja Eriona Hoti: Qëllimi i studimit në SHBA, kontributi për vendlindjen

Për shumë studentë kosovarë, studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar karrierën e tyre dhe për të pasur një ndikim të vërtetë në fushat e tyre të studimeve. Një shembull i shkëlqyer i kësaj është rrugëtimi i Eriona Hotit, e cila ka arritur të përfitojë një bursë […]

Studentja Eriona Hoti: Qëllimi i studimit në SHBA, kontributi për vendlindjen


Për shumë studentë kosovarë, studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar karrierën e tyre dhe për të pasur një ndikim të vërtetë në fushat e tyre të studimeve. Një shembull i shkëlqyer i kësaj është rrugëtimi i Eriona Hotit, e cila ka arritur të përfitojë një bursë për studime në SHBA dhe tani është në rrugën e duhur të suksesit.

Eriona ka përfunduar studimet e bachelorit në gazetari në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si gazetare, teksa një periudhë ka qenë edhe pjesë e Këshillit Amerikan. Pas kësaj, ajo vendosi të ndjekë një master që ofron një kombinim të komunikimit dhe avokimit. Ky drejtim ishte i rëndësishëm për të, pasi ajo dëshironte të zhvillonte njohuri të thella në të dyja fushat.

Dhe si rrjedhojë pasi hulumtoi vendosi për “James Madison University”, në të cilin u regjistrua përmes bursave për studentët ndërkombëtarë. Por, jo vetëm kaq, ngase përveç studimeve ajo është angazhuar edhe në aktivitete akademike.

“Në Kosovë kam qenë trajnere për Edukim Medial, e kjo më ka shtyrë të aplikoj edhe si asistente në fakultetin ku studioj. Pra, tani përveç që jam studente e nivelit master, në po të njëjtin universitet jam asistente e një profesori, pra ligjëroj aty”, theksoi ajo për Front Online.

Një nga dallimet kryesore që Eriona veçon në arsimin e lartë mes Kosovës dhe SHBA-së është kultura e lirisë dhe besimit në aftësitë e studentëve në SHBA.

“Në SHBA ka shumë më shumë mundësi për studentët. Derisa në Kosovë duhet të kalosh në disa faza të besimit dhe vlerësimit të aftësive, në SHBA ekziston një kulturë e njerëzve që besojnë dhe vlerësojnë punën e studentëve dhe shpërblehen për këtë”, tha Eriona Hoti.

Tutje ajo theksoi se edhe lidhja profesor-studentë në SHBA është raport kolegial apo edhe shoqëror, ku profesorët janë më të hapur dhe të inkurajojnë të punosh ngushtë me ta.

“Në Kosovë studentët nuk kanë shumë përvojë në aspektin e hulumtimit, derisa në SHBA ka qendra të hulumtimit që të ndihmojnë si duhet hulumtuar një çështje. Dhe kjo për mendimin tim është ngecja e madhe që e shoh në Kosovë”, shtoi ajo.

Në SHBA, sipas Erionës liria për të shprehur eksperiencat personale dhe zgjedhja e literaturës për lexim janë të përkushtuara në mënyrë që studentët të ndihen të angazhuar dhe të motivuar.

“Në SHBA vendos vet studenti çfarë dëshiron të lexojë, nuk imponohet nga profesori. Thjesht t’i jep disa opsione. Pastaj nuk ndëshkohesh me notë tek profesori sepse është kulturë që secili lexon vet dhe ka interaktivitet në mes kolegëve, si dhe mendimi kritik është tejet i zhvilluar. Ndërkaq, këtu në Kosovë ka shumë precizitet, profesori e vendos me përpikëri syllaubusin dhe ka kulturë ndëshkimi nga profesori”, nënvizoi Eriona.

Po ashtu, ajo ka theksuar se universitetet në SHBA janë të dixhitalizuara dhe ofrojnë një mjedis ku çdo student ka akses në teknologji moderne për të mbështetur procesin e mësimdhënies dhe të nxënit.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm është “Java e orientimit”, e cila u ndihmon studentëve, sidomos atyre që vijnë nga jashtë, siç është rasti me studentët nga Kosova, që të adaptohen dhe të kuptojnë plotësisht kërkesat dhe mundësitë që ofrohen”, tha ajo.

Motivi kryesor i Erionës për studim në SHBA ka qenë dëshira e saj në ndërtimin e paqes dhe dialogut. Ajo ka bërë të ditur se zotëron një certifikim të mëhershëm nga Irlanda Veriore: “Si të ndërtojmë paqen”, prandaj ka vendosur që edhe masterin ta ketë në këtë drejtim.

“Duke qenë se kemi luftëra të ndryshme duke ndodhur në botë dhe kemi një konflikt në Kosovë që është inaktiv, pasi e dimë që nuk ka një përfundim diçka konkret mes Serbisë dhe Kosovës dhe familjarisht kam qenë e prekur nga lufta, kjo ka qenë një prej arsyeve që kam dashur të marrë një edukim diku jashtë vendit dhe pastaj të jap kontributin tim për Kosovën ”, tha Eriona.

Ajo ka theksuar se pavarësisht nëse angazhimi i saj në të ardhmen do të jetë në Kosovë apo në nivel ndërkombëtar, qëllimi i saj është të kontribuojë për vendlindjen e saj.

Burimi Informacionit :

Lajmi eshte mare nga portalet tjere ne nuk mbajme pergjithesine per publikimin nese keni ndonje problem me lajmin e mesiper atehere dergo nje mesazh per fshirje ne Kosova.Today.
Ky lajme me heret eshte postuar ne keto portale : abcnews, insajderi, zhurnal, albinfo, kosovarja, ora24, fakteplus, afterparty, kryefjala, lajmi.net, aktuale.mk, kolibri.al, orainfo.net, portalb.mk

PER BILETA AUTOBUSI KLIKO :