KOSOVA

Terras reagon ashpër për këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës: BE-ja t’i japë shpjegime Kosovës

Kosova.Today ·

Eurodeputeti estonez, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel...

Eurodeputeti estonez, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një postimi në platformën X, Terras e ka cilësuar interpretimin e këngës si veprim jashtëzakonisht të papërshtatshëm, duke ngritur dilema nëse bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.

“Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që pohon pretendime mbi Kosovën në një aktivitet për zgjerimin e BE-së është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, ka shkruar ai.

Eurodeputeti estonez ka kërkuar që Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, t’i japin shpjegime Kosovës për këtë rast.

Reagimi i tij vjen pas interpretimit të muzikës së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova”, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së, më 15 nëntor në Bruksel.

Në këtë aktivitet, Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, ishte paraparë të prezantonte muzikë nga vendet e rajonit. Por, në pjesën e dedikuar Kosovës u interpretua muzika e këngës që përmban mesazhe nacionaliste dhe pretendime serbe ndaj territorit të saj.

Ngjarja ka nxitur reagime edhe në Kosovë. Kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e ka cilësuar atë si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar nga komisionerja Marta Kos sqarime për atë që ndodhi dhe për masat që do të ndërmerren.

Edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian lidhur me përzgjedhjen dhe miratimin e repertorit muzikor.

Reagimet janë shtuar edhe për faktin se Kosova nuk ishte e ftuar në edicionin e dytë të Forumit të Zgjerimit të BE-së, i cili po mbahet më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Ndërpritet furnizimi me ujë në disa lagje të Prishtinës

14.11.2026

Arrestohet ish-ministri Astrit Haraqija, dyshohet për trafikim të kok’ainës

15.11.2026

6.3 miliardë importe për 10 muaj – nga Kina te Gjermania, ja çfarë po importon më së shumti Kosova

14.11.2026

Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, si preken qytetarët dhe bizneset në Kosovë?

14.11.2026