Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify me dy albume mbi 15 miliardë dëgjime
Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke u bërë gruaja e parë në histori që ka dy albume me mbi 15 miliardë dëgjime në Spotify, transmeton albinfo.ch.
Albumi i saj debutues, “Dua Lipa” (2017), së fundmi ka kaluar këtë shifër, duke iu bashkuar albumit “Future Nostalgia” (2020), i cili e kishte arritur këtë sukses pak më herët.
Me këtë arritje, ajo lë pas emra të njohur të skenës botërore si Olivia Rodrigo dhe SZA, duke u renditur si artistja e parë femër me më shumë se një projekt që tejkalon këtë prag dëgjimesh në platformën Spotify.
Albumi “Dua Lipa”, i publikuar më 2 qershor 2017, shënoi hyrjen e saj në skenën ndërkombëtare të muzikës pop. Fillimisht me një performancë modeste, ai fitoi shpejt popullaritet gjatë vitit 2018, duke arritur vendin e tretë në UK Albums Chart dhe duke hyrë në top-10 në 13 shtete.
Këngët si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules” u shndërruan në hite globale, me “New Rules” që arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe top-10 në Billboard Hot 100 në SHBA. Më vonë, ribotimi “Complete Edition” e zgjeroi suksesin e albumit me bashkëpunime si “One Kiss” me Calvin Harris dhe “Electricity” me Silk City.
Ky projekt e konsolidoi Dua Lipën si një nga emrat më premtues të pop-it modern, duke i sjellë nominime dhe çmime të rëndësishme, përfshirë Brit Awards dhe Grammy Awards.
Ndërkohë, albumi “Future Nostalgia” u shndërrua në një sukses global, duke kryesuar listat në 15 shtete dhe duke fituar çmimin Grammy për “Best Pop Vocal Album”.
Ky rekord në Spotify konfirmon ndikimin e vazhdueshëm të Dua Lipës në muzikën botërore dhe fuqinë e saj në epokën e streaming-ut./Albinfo.ch
The post Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify me dy albume mbi 15 miliardë dëgjime appeared first on Albinfo.