Zjarri në Tiranë, kontrata garanton 25 vite për cilësi në fasadën e pallatit

Pasditen e së martës një pallat 12-katësh u përfshi nga zjarri në Tiranë që shkaktoi dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk pati viktima.
Pas ngjarjes, kompania “Arlis Ndërtim”, në një reagim zyrtar ka sqaruar se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse. Sipas kompanisë, edhe elementet e fasadës dhe verandave janë realizuar në bazë të miratimeve përkatëse dhe standardeve në fuqi.
Në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ka dalë edhe një kontratë e firmosur nga kjo kompani, ku cilësohet se kompania “garanton që materiali i panelit që do të përdoret do të jetë anti-zjarr dhe jep një garanci prej 25 vitesh për cilësinë e bojës së panelit”.
Gazetari Merin Maçi sqaroi se nuk është hera e parë që po kjo fasadë është përfshirë nga flakët, edhe pse jo në këto përmasa si të 14 prillit.
“Pavarësisht se kjo është një nga pikat e kontratës që ka nënshkruar Arlis, një rast të tillë ky kompleks e ka pasur edhe përpara se të përfundonte. Pra, në proces përfundimi dhe dorëzimi tek banorët, në momentet që ka qenë në detajet e fundit fare të fasadës, ka pasur sërish një zjarrvënie në pjesën e fasadës. Është djegur edhe atë kohë, pavarësisht jo në këto masa. Materiali i përdorur, por edhe gjithë masave që ka marrë qoftë kompania ndërtuese, por ashtu edhe ajo nënkontraktore, lënë paksa për të dëshiruar”, tha gazetari.



