JETA

Sulm kibernetik ndaj qendrës shëndetësore në Chur të Zvicrës, vidhen të dhënat e pacientëve dhe punonjësve

Kosova.Today ·

Të dhënat personale të pacientëve dhe stafit të qendrës mjekësore Gleis D dhe farmacisë Medi Porta në qytetin e Chur-it, në Zvicër, janë komprometuar pas një sulmi kibernetik. Mes të dhënave të vjedhura janë emrat, adresat, recetat...

Të dhënat personale të pacientëve dhe stafit të qendrës mjekësore Gleis D dhe farmacisë Medi Porta në qytetin e Chur-it, në Zvicër, janë komprometuar pas një sulmi kibernetik. Mes të dhënave të vjedhura janë emrat, adresat, recetat mjekësore dhe fotografitë radiologjike.

Sulmi kibernetik ndaj qendrës mjekësore Gleis D dhe farmacisë Medi Porta në Chur ka ndodhur më 12 tetor, ka bërë të ditur kryetari i bordit drejtues, Romano Cahannes.

Sipas tij, sulmi u zbulua shpejt, pasi sistemet informatike të qendrës mjekësore ndaluan së funksionuari. Departamenti i brendshëm i teknologjisë informative, së bashku me specialistë të jashtëm të sigurisë kibernetike, reaguan menjëherë.

Sistemet e prekura u çaktivizuan përkohësisht dhe më pas u instaluan përsëri. Për rastin fillimisht raportoi mediumi i specializuar në teknologji informative, “Inside IT”.

Çfarë të dhënash u vodhën?

Sulmi preku hapësirat lokale të ruajtjes së të dhënave. Megjithëse reagimi ishte i shpejtë, nuk u arrit të parandalohej plotësisht rrjedhja e informacionit.

Nga sulmi u vodhën të dhëna personale, përfshirë emrat, adresat, recetat mjekësore dhe fotografitë radiologjike të pacientëve. Të prekura ishin edhe të dhënat e punonjësve.

Numri i saktë i personave të prekur ende nuk dihet. Sipas Cahannes, aktualisht po bëhet vlerësimi i dëmeve dhe identifikimi i të gjithë personave të prekur.

Të dhënat më të ndjeshme shëndetësore nuk u prekën

Sipas drejtuesve të qendrës mjekësore, të dhënat veçanërisht të ndjeshme shëndetësore nuk janë komprometuar.

Diagnozat, informacionet për sëmundjet dhe të dhënat mbi trajtimet mjekësore nuk janë vjedhur. Këto informacione ruhen në një aplikacion të veçantë, në të cilin sulmuesit nuk kanë arritur të depërtojnë. Aty gjendet edhe pjesa më e madhe e të dhënave të pacientëve.

Ende nuk dihet kush qëndron pas sulmit

Romano Cahannes nuk ka dhënë detaje se si hakerët arritën të depërtonin në sistemet informatike, duke iu referuar hetimeve që janë në vazhdim.

Qendra mjekësore ka paraqitur kallëzim penal. Ndërkohë, nuk janë bërë publike as masat shtesë të sigurisë të ndërmarra pas sulmit.

Cahannes ka theksuar se sistemet po monitorohen vazhdimisht dhe se deri më tani nuk ka asnjë indikacion se sulmuesit vazhdojnë të kenë qasje në to.

Identiteti i personave apo grupit përgjegjës për sulmin mbetet nën hetim. Po ashtu, ende nuk dihet nëse hakerët kanë tentuar të shantazhojnë qendrën mjekësore duke kërkuar para në këmbim të mos publikimit të të dhënave të vjedhura.

The post Sulm kibernetik ndaj qendrës shëndetësore në Chur të Zvicrës, vidhen të dhënat e pacientëve dhe punonjësve appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Gruas turke iu refuzua shtetësia për shkak të një përgjigjeje për sportin, kantoni rrëzon vendimin

11.11.2026

Ramë Dardania sfidon kaosin: Arti shqiptar në zemër të Zvicrës

09.11.2026

Kriza e banesave në Zvicër: Studimi evropian propozon zgjidhje për strehim më të përballueshëm

10.11.2026

Pse po shtrenjtohen biletat e avionit nga Zvicra? Paralajmërohen rritje deri në 20 për qind

10.11.2026