Koalicion PDK-VV? Mustafa thotë se u takua me Kurtin: Gjeti kohë me dëgju
Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur për idenë e bashkëpunimit politik ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke zbuluar se për këtë nismë kishte gjetur përkrahje nga figura të rëndësishme të të dyja partive...
Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur për idenë e bashkëpunimit politik ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke zbuluar se për këtë nismë kishte gjetur përkrahje nga figura të rëndësishme të të dyja partive, përfshirë edhe kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
Mustafa ka treguar se kishte zhvilluar takime me përfaqësues të të dy subjekteve politike dhe se Kurti kishte qenë i gatshëm ta dëgjonte propozimin dhe të diskutonte mundësinë e bashkëpunimit.
“E kam filluar idenë dhe kemi gjetur përkrahje nga akterë të rëndësishëm politikë nga të dyja partitë, PDK dhe VV. Nga akterët kryesorë, edhe nga z. Kurti. Ai ka gjetur kohë me dëgju dhe nuk është që nuk ka qenë i interesuar për mundësi”, ka deklaruar Mustafa në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ai ka bërë të ditur se takimet me përfaqësuesit e të dyja partive janë zhvilluar edhe me persona të tjerë, ndërsa ka sqaruar se pas vendimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mundësitë e bashkëpunimit ishin kufizuar në çështje të caktuara.
“Tani këto janë publike që ne jemi takuar, jemi takuar edhe me të tjerë. Ka ardhur vendimi kundër bashkëluftëtarëve tanë, ashtu qysh i erdhi i papritur, dhe ne i kemi kufizuar mundësitë në bashkëpunim ekskluzivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, mbrojtjen e UÇK-së”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje kishin përfshirë edhe mundësinë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, si dhe hartimin e një strategjie shtetërore në mbështetje të interesave të UÇK-së, pas vendimit të rëndë ndaj ish-krerëve të saj.
“Kemi folur brenda këtyre kornizave dhe VV ka pranuar që të bëjmë marrëveshjen për president, gjithashtu edhe të ndërtojmë strategjinë shtetërore për t’i ardhur në ndihmë interesave të UÇK-së pas një dënimi të pamerituar, që ishte shumë i rëndë”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka vlerësuar se ky bashkëpunim kishte krijuar mundësi për një situatë më stabile politike dhe funksionalizimin e institucioneve.
“Ka filluar ky bashkëpunim dhe janë mundësitë. Ligji ka kaluar në Kuvend dhe nga një gjendje që ishte jostabile më 6 tetor, kaluam në një kohë më stabile, prodhuam kohë më të qetë dhe filluam funksionimin e Qeverisë”, ka thënë ndër të tjera Rrustem Mustafa.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.