Kushtetuesja pret gjyqtarin e fundit për të vendosur për “Gjuhën shqipe” dhe “Rastet e Hagës”
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski thotë se e presin gjyqtarin e fundit për t’u kompletuar përbërja e gjykatës pas çka do të vendosin për lëndët e ndjeshme, duke nënvizuar atë për Ligjin e Gjuhëve dhe Rastet e Hagës për...
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski thotë se e presin gjyqtarin e fundit për t’u kompletuar përbërja e gjykatës pas çka do të vendosin për lëndët e ndjeshme, duke nënvizuar atë për Ligjin e Gjuhëve dhe Rastet e Hagës për luftën e vitit 2001 në Maqedoni.
“Shpresoj që sa më shpejtë të kompletohet Gjykata Kushtetuese dhe e kam treguar konkluzën e Gjykatës. Gjykata jonë ka miratuar konkluzë që lëndët e ashtuquajtura të ndjeshme, gjegjësisht lëndët që kanë interes shumë të gjerë publik, siç është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Rastet e Hagës dhe lëndë të tjera, do të vendoset vetëm kur përbërja e Gjykatës Kushtetuese, deri atëherë nuk është në rregull, pasi janë lëndë shumë të rëndësishme që mund të krijojnë tensione, siç e shihni dhe krijojnë tensione në shoqëri”, tha Kostadinovski.
I pyetur nëse zvarritja e zgjedhjes së gjyqtarit të fundit është e qëllimshme me qëllim që të zvarritet vendimmarrja, Kostadinovski nuk e përjashton mundësinë.
“Është e mundshme që edhe të jetë edhe ajo të jetë arsyeja. Nuk mund të them”, shtoi Kostadinovski.
” ”
Lënda për Ligjin e Gjuhëve është më e vjetra në Gjykatën Kushtetuese e cila u nxor nga sirtari para dy vitesh, duke riaktualizuar debatin për zbatimin e shqipes në institucione. Kontestimi i Ligjit përfshin ligjin në tërësi, dekretin për shpalljen e tij dhe disa dispozita të veçanta. Në 13 iniciativa të parashtruara nga 46 subjekte kontestohen 18 dispozita të ligjit, ndërsa në një iniciativë tjetër kërkohet vlerësimi i të gjitha neneve. Megjithatë para vendimmarrjes finale, duhet të mbahet seancë përgatitore.
Nga ana tjetër, lënda tjetër e nxehtë është ajo që ka të bëjë me iniciativën e dorëzuar nga Pavle Trajanovi në shkurt të vitit 2024 i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese të shfuqizohet interpretimit autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti, të miratuar nga Kuvendi në vitin 2011. Trajanov pretendon se përmes këtij interpretimi është zgjeruar në mënyrë të kundërligjshme amnistia e vitit 2002, duke përfshirë edhe katër rastet e Hagës: “Udhëheqësia e UÇK-së“, “Punëtorët e Mavrovës“, “Liqeni i Likovës“ dhe “Neproshteni”. Sipas tij, krimet e luftës kundër civilëve nuk parashkruhen dhe nuk mund të amnistohen përmes një interpretimi autentik. Ai argumenton se interpretimi i vitit 2011 është në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Penal dhe Konventat e Gjenevës. Nëse Gjykata e pranon iniciativën, mund të hiqet pengesa juridike që çoi në ndërprerjen e procedurave për këto katër raste. /Alsat.mk.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.