Mbi 200 milionë euro për yllin e Bayern Munichut? Real Madridi gati për një transferim rekord
Real Madridi vazhdon ta mbajë në radar Michael Olisen, me presidentin Florentino Perez që shpreson të gjejë një mundësi për ta transferuar yllin e Bayern Munichut në verën e vitit 2027. Sipas raportimeve të gazetës franceze L’Equipe...
Real Madridi vazhdon ta mbajë në radar Michael Olisen, me presidentin Florentino Perez që shpreson të gjejë një mundësi për ta transferuar yllin e Bayern Munichut në verën e vitit 2027.
Sipas raportimeve të gazetës franceze L’Equipe, drejtuesit e klubit madrilen vazhdojnë të jenë të interesuar për shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar, i cili ka kontratë me Bayern Munichun deri në qershor të vitit 2029.
Megjithatë, realizimi i këtij transferimi do të varet edhe nga situata e Vinicius Juniorit në ‘Santiago Bernabeu’.
Interesimi i Real Madridit për Olisen nuk është i ri. Klubi spanjoll kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij edhe gjatë verës së kaluar, por Bayern Munichu nuk kishte pranuar të hynte në negociata.
Madje, sipas raportimeve, drejtuesit bavarezë kishin bërë të qartë se as një ofertë prej 500 milionë eurosh nuk do t’i ndryshonte qëndrimet e tyre.
Në fund, Real Madridi vendosi të investojë te Yan Diomande, i transferuar nga RB Leipzig. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka fituar më shumë hapësira në ndeshjet e fundit, duke u dhënë madrilenëve një alternativë shtesë në repartin ofensiv gjatë mungesës së Viniciusit.
Megjithatë, Olise vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve më të pëlqyer nga drejtuesit e klubit mbretëror.
Sipas L’Equipe, edhe Kylian Mbappe, Ibrahima Konate dhe Eduardo Camavinga, gjatë grumbullimeve me Përfaqësuesen e Francës, kanë biseduar me bashkëkombësin e tyre për mundësinë e transferimit në Madrid.
Paraqitjet e Olises në Gjermani janë një tjetër arsye pse Bayerni dëshiron ta mbajë sa më gjatë në skuadër. Francezi sezonin e kaluar regjistroi 15 gola dhe 19 asistime në Bundesliga, ndërsa edhe në edicionin aktual vazhdon të jetë një prej lojtarëve kryesorë të ekipit.
Pikërisht për këtë arsye, Bayern Munichu tashmë po përgatitet t’i ofrojë atij një kontratë të re. Drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen, ka konfirmuar se e ardhmja e futbollistit do të diskutohet me të, ndërsa synimi i drejtuesve është të sigurojnë vazhdimësinë e tij përpara se kontrata aktuale të hyjë në dy vitet e fundit.
Vlera e Olises në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 180 milionë euro, ndërsa një marrëveshje e mundshme mund të kalojë shifrën e 200 milionë eurove. Francezi iu bashkua Bayernit në vitin 2024 nga Crystal Palace për rreth 53 milionë euro dhe kontrata e tij nuk përmban klauzolë lirimi.
Një rol të rëndësishëm në këtë çështje mund të ketë edhe e ardhmja e Vinicius Juniorit. Braziliani ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2032, por ndryshimet në konkurrencën për një vend në formacion mund të ndikojnë në situatën e tij.
Nëse ai vendos të largohet nga klubi, madrilenët mund ta rishikojnë strategjinë e tyre për repartin ofensiv dhe ta konsiderojnë më seriozisht transferimin e Olises.
Kështu, vera e vitit 2027 mund të jetë momenti kur Real Madridi do të provojë sërish të sigurojë shërbimet e francezit.
Nëse Bayern Munichu nuk arrin ta bindë atë për rinovimin e kontratës, klubi spanjoll mund të shohë një mundësi për të hapur negociatat, edhe pse bavarezët nuk kanë asnjë arsye të nxitojnë për shitjen e një prej yjeve të tyre.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.