Njëri vdiq, tjetri u arratis, i treti u lirua para kohe – Çfarë dyshimesh ngre Mehmeti për rastin Dehari dhe shokët e tij të burgut?
Analisti Faton Mehmeti ka rikthyer në vëmendje rastin e Astrit Deharit, duke ngritur pikëpyetje lidhur me rrethanat e vdekjes së tij dhe fatin e personave që kishin ndarë qelinë me të. Në videon e publikuar, Mehmeti ngre pikëpyetje edhe...
Analisti Faton Mehmeti ka rikthyer në vëmendje rastin e Astrit Deharit, duke ngritur pikëpyetje lidhur me rrethanat e vdekjes së tij dhe fatin e personave që kishin ndarë qelinë me të.
Në videon e publikuar, Mehmeti ngre pikëpyetje edhe për fatin e shokëve të qelisë së Deharit, duke vënë në fokus zhvillimet e mëvonshme që lidhen me ta.
“Astrit Dehari u gjet i vdekur me 5 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit. Bashkë me të në dhomë kanë edhe tre persona, Naser Makolli, Frrok Leski dhe Adonis Gashi. Unë dua të flas për këta tre personazhe të cilët kanë qenë në një dhomë, në një qeli me Astrit Deharin. Fillimisht dua të them që i pari që e ka gjetur Astrit Deharin ka qenë Naser Makolli, ai ka dhënë deklaratat e tij dhe ka thënë që Astrit Dehari nuk kishte pasur asnjë shenjë të ndonjë ҫrregullimi apo të ndonjë sëmundje. Dhe pastaj është transportuar në Burgun e Lipjanit, ku pas gjashtë muaj u gjet i vdekur. Një vdekje natyrisht e dyshimtë, duke pasur parasysh se Naser Makolli ishte dëshmitar kyҫ në rastin Astrit Dehari”, ka thënë Mehmeti.
Analisti ka folur edhe për dy shokët e tjerë të qelisë që ndanin me Astrit Deharin.“Gjithashtu në burg kanë qenë edhe dy personazhet e tjerë të cilët, i përmenda ma herët. Ishin Adonis Gashi i cili është arratisur nga burgu që thuhet për shkak të disa presioneve që ka pasur dhe Frrok Leski. Ai kujtojmë që ka qenë i dënuar për ҫështje droge dhe atij i është falur burgu, pra ka dalë më herët, shtatë muaj përpara se të përfundonte dënimin”, theksoi ai.
Mehmeti ka përmendur edhe kritikat e Albin Kurtit, asokohe lider i Vetëvendosjes, ndaj Presidentit Thaҫi që kishte falur të dënuarin Leski.
“Dhe për këtë, Albin Kurti atëherë, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte kritikuar Presidentin e asaj kohe, Hashim Thaҫin që kishte ushtruar të drejtën e tij për ta falur personin në fjalë, duke thënë që kjo falje duhet të shikohet se mos kishte një prapavijë”, thotë ai.
Sipas Mehmetit, pra tri personazhet që kanë qenë në një qeli me Astrit Deharin, njëri ka vdekur, tjetri është arratisur dhe një tjetër është liruar para kohe.
“Kështu që këto janë mjaftë të dyshimta, duke pasur parasysh që ҫështja Dehari asnjëherë nuk është dhënë një version i saktë as pas autopsisë që është bërë në Lozanë, nuk është dhënë një version i saktë nëse ka vdekur, ka bërë vetëvrasje apo ka qenë thjeshtë një person tjetër që e ka vrarë Astrit Deharin”, tha Mehmeti në video-intervistën.
Ai thekson tutje se, kjo do të mbetet një engimë gjithmonë.
“Sigurisht, kjo enigmë do të vazhdojë gjithmonë, unë nuk pres që ҫështja Dehari të përfundoj ndonjëherë sepse unë e kam theksuar qysh në prononcimin tim të parë në atë kohë që, vrasja e Astrit Deharit gjithmonë do të mbetet enigmë për shkak edhe të faktit tjetër që ҫdo herë edhe në rastet tjera, kur shteti është i përfshirë apo në një mënyrë tjetër, këto vrasje gjithmonë mbesin enigmë”, theksoi Mehmeti.
Analisti përmend edhe deklaratën e vëllait të Naser Makollit, dëshmitarit kryesor, që sipas tij, kjo ka shtuar edhe dozën e dyshimit në rastin Dehari.
“Në këtë kuptim unë nuk pres që do të ketë ndonjë kuptim gjithmonë të kësaj ҫështje, vetëm për faktin që dyshimet janë gjithmonë të forta se si është e mundur që Naser Makolli, dëshmitari kyҫ dhe i pari që e kishte parë Astrit Deharin të ndërronte jetë. Pas gjashtë muaj, këtë e ka konfirmuar edhe vëllai i tij, i cili kishte thënë se ai vetëm ka qenë i sëmurë prej lukthit, nuk është se ka pasur ndonjë sëmundje vdekjeprurëse dhe kështu edhe vdekja e tij është e dyshimtë. Prandaj, kjo vetëm se e ka shtuar gjithë dozën e dyshimit në rastin e Deharit që tashmë janë bërë 10 vite”, theksoi ai.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.