KOSOVA

Nga një muaj paraburgim ish-ministrit Haraqija dhe 5 të tjerëve të dyshuar për trafikim droge – çka thanë në seancë?

Kosova.Today ·

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në...

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e paraburgimit u caktua nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe të pandehurit Haraqija edhe për armëmbajtje pa leje.

Aktvendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Në seancë dëgjimore, prokurori Arben Hoti ka thënë se qëndron pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se hetimet e nisura në prill 2026 zbuluan se grupi i organizuar kriminal udhëhiqej nga Jeton Stanovci i njohur si “Daja”.

Prokurori thuhet se deklaroi që grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej përmes Gëzim Fekës, Arijanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, i cili thuhet se zëvendësoi Beqirin për shkak të dyshimeve të ngritura nga lideri i grupit.

Hoti ka thënë se furnizimet dhe barazimet financiare bëheshin në baza javore nën evidencën e rregullt të Jetonit, ndërsa paratë dërgoheshin përmes anëtarëve të grupit ose të pandehurës Xhemajli-Ramadani.

Në vendim thuhet se i pandehuri Jeton Stanovci ka kundërshtur kërkesën për paraburgim, duke thënë se në 4-5 pronat e tij, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në lokacionet e të mbrojturit të tij.

Kërkesën për paraburgim e kundërshtoi edhe i pandehuri Gëzim Feka dhe mbrojtësi i tij, avokati Besim Abdullahu. Ky i fundit tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se nuk specifikohen veprimet individuale të të pandehurit.

Në anën tjetër, Arjanit Beqiri thuhet se deklaroi se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim dhe premton se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës. E avokati i tij, Blerim Hertica tha se kërkesa për paraburgim është e tepruar dhe e pabazuar.

Edhe e pandehura Albana Xhemajli-Ramadani dhe avokati i saj Driton Musliu kundërshtuan kërkesën për paraburgim. Avokati tha se kjo masë është e padrejtë, jashtëzakonisht e rëndë dhe pa mbështetje ligjore në raport me veprimet e të mbrojturës së tij.

Kurse, Astrit Haraqija deklaroi se e kundërshton plotësisht kërkesën për paraburgim, duke theksuar se në të kaluarën i është përgjigjur gjithmonë ftesave të gjykatës dhe Policisë, duke premtuar se do t’i përgjigjet edhe në të ardhmen, duke shtuar se është 54-vjeç. Për armën, ka thënë se i ka skaduar leja.

Edhe avokati i tij, Korab Bokshi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë duke thënë se nuk i përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e saj. Propozoi që kërkesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar ose eventualisht t’i caktohet ndonjë masë më e butë alternative e paraparë me KPPRK.

I pandehuri Alban Maloku kundërshtoi po ashtu kërkesën për paraburgim dhe kërkoi masë më të lehtë alternative. Premtoi se nuk do t’i pengojë hetimet, nuk do të ndikojë e as nuk do të largohet nga Kosova, duke përmendur se do t’i përgjigjet ftesave të autoriteteve.

Avokati i tij, Ilir Ramaj po ashtu kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se është e përgjithshme dhe nuk specifikon veprimet individuale të të mbrojturit të tij.

Por, Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se masat tjera alternative nuk konsiderohen të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Osmani: Ky pushtet i largoi miqtë e Kosovës, nesër mund të ketë goditje edhe më të rënda

16.11.2026

Më 17 nëntor shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për rastin e administrimit të drejtësisë

15.11.2026

Eurokomisionerja Kos kërkon falje për këngën nacionaliste serbe në Bruksel

16.11.2026

Me mbi 30 plagë në trup nga lufta, historia e invalidit të UÇK-së nga Drenasi (Video)

15.11.2026