“8 pikat e PD-së për Reformën Zgjedhore”, Bylykbashi: Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia
Një ditë pasi Partia Demokratike prezantoi propozimet e saj për Reformën Zgjedhore, nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi, ka publikuar një status në rrjete sociale ku thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk...
Një ditë pasi Partia Demokratike prezantoi propozimet e saj për Reformën Zgjedhore, nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi, ka publikuar një status në rrjete sociale ku thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk garantohen vetëm ditën e votimit, por kërkojnë edhe shmangien e përdorimit të administratës publike, buxhetit dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale.
“Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia dhe krimi!”, shkruan Bylykbashi.
Ai rendit tetë fushat ku, sipas propozimeve të PD-së, duhet të garantohet ndarja e shtetit nga partia:
1. Administrata publike – Pa presion politik dhe mobilizim partiak të punonjësve.
2. Vendimet qeveritare, fiskale dhe sociale – Pa përdorim elektoral të përfitimeve publike.
3. Buxheti, prokurimet dhe investimet – Fondet dhe pasuria shtetërore në shërbim të qytetarëve, jo të partive.
4. Patronazhimi – Pa kushtëzim politik të punësimit dhe shërbimeve publike.
5. Kontrollet dhe inspektimet – Pa përdorim selektiv të pushtetit shtetëror për presion politik.
6. Të dhënat personale – Regjistrat shtetërorë nuk janë databaza elektorale.
7. Aktivitetet zyrtare – Funksioni publik nuk mund të shndërrohet në fushatë partiake.
8. Media dhe propaganda institucionale – Informimi publik duhet të ndahet nga promovimi elektoral i pushtetit.
Bylykbashi propozon gjithashtu që reforma të parashikojë ndalime të përhershme të abuzimit me burimet shtetërore, si dhe mbrojtje të përforcuar në periudhën përpara zgjedhjeve.
Një tjetër pikë lidhet me fuqizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit opozita kërkon t’i jepen kompetenca për të kontrolluar dhe ndërhyrë drejtpërdrejt, në kohë reale, përballë shkeljeve.
Në propozimet e PD-së përfshihet edhe mekanizmi “Ndalo – Rivendos – Sanksiono”, me synimin që shkeljet të mos ndëshkohen vetëm përmes gjobave pas zgjedhjeve, por të ndërpriten dhe të korrigjohet avantazhi i paligjshëm i krijuar.
Gjithashtu, Bylykbashi kërkon që në rastet kur provohet se një mandat është fituar për shkak të abuzimit të rëndë me burimet shtetërore, të parashikohet edhe humbja e tij nga subjekti zgjedhor, me garanci dhe kontroll gjyqësor.
“Nuk mjafton të ndëshkohet shkelësi, nëse partia ruan mandatin e fituar nga shkelja. Nuk mjafton të numërohen saktë votat, nëse liria e tyre është cenuar përpara votimit”, thekson ai.
Në përfundim, nënkryetari i PD-së përsërit kërkesën e opozitës për ndarjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe për ndryshimin e sistemit të përfaqësimit. Konkretisht, PD kërkon zgjedhjen e Parlamentit me sistem proporcional kombëtar me listë të hapur, si dhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë me lista të hapura.
Bylykbashi kërkon që Kuvendi t’i kthejë këto propozime në rregulla konkrete, kontrolle të detyrueshme dhe pasoja reale përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027.
PD prezanton paketën e plotë të propozimeve për Reformën Zgjedhore, 8 fushat ku kërkon ndërhyrjeThe post “8 pikat e PD-së për Reformën Zgjedhore”, Bylykbashi: Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.