Hita pritet në Romë nga homologu italian, në fokus lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi policor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është pritur në Romë nga homologu i tij italian, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Prefekti Vittorio Pisani. Në qendër të takimit zyrtar ishte forcimi i bashkëpunimit...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është pritur në Romë nga homologu i tij italian, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Prefekti Vittorio Pisani. Në qendër të takimit zyrtar ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kibernetike.
Gjatë takimit dypalësh, dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes strukturave policore shqiptare dhe italiane, duke vënë në dukje rezultatet e skuadrave të përbashkëta hetimore kundër grupeve kriminale ndërkufitare. Këto struktura u cilësuan si një model i suksesshëm bashkëpunimi në nivel evropian.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, falënderoi Policinë Italiane për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, ndërsa theksoi se thellimi i marrëdhënieve me partnerët strategjikë do të jetë një ndër prioritetet kryesore të drejtimit të tij.
“Ju falënderoj për pritjen dhe Policinë Italiane për gjithçka ka bërë ndër vite për të mbështetur Policinë e Shtetit. Shpreh gatishmërinë time që këto marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi, mjaft të shkëlqyera, jo vetëm t’i ruajmë, por edhe t’i thellojmë akoma më tej”, u shpreh Hita.
Nga ana e tij, Prefekti Vittorio Pisani rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Policisë Italiane për homologët shqiptarë, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe kriminalitetit kibernetik.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte vijimi i mbështetjes me monitorim ajror për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri.
Takimi në Romë synon forcimin e mëtejshëm të koordinimit mes dy policive, shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e kapaciteteve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë.
The post Hita pritet në Romë nga homologu italian, në fokus lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi policor appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.