SHQIPERIA

Reforma Zgjedhore/ PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës, i jep afat PS-së të reflektojë deri në orën 11:00

Kosova.Today ·

Pak orë para se Komisioni i Reformës Zgjedhore të mblidhet në seancë plenare, bashkëkryetari Oerd Bylykbashi u ka kërkuar anëtarëve të mazhorancës të ndryshojnë rendin e ditës. Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka zbardhur kërkesën e...

Pak orë para se Komisioni i Reformës Zgjedhore të mblidhet në seancë plenare, bashkëkryetari Oerd Bylykbashi u ka kërkuar anëtarëve të mazhorancës të ndryshojnë rendin e ditës.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka zbardhur kërkesën e demokratëve, ku kërkohet heqja e pikës së rendit të ditës që lidhet me reflektimin e hartës së re territoriale në Kodin Zgjedhor.

Kërkesa e plotë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, e zbardhur nga Top Channel:

“I nderuar bashkëkryetar, të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm, Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-opozitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.

Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme, në lidhje me detyrime që, sipas njoftimit, i vijnë Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.

Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.

Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.

Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.

Për sa më sipër, kërkoj që deri në orën 11:00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht Komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.”


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

7 nxënëse e denoncuan për ngacmim seksual, lihet ‘detyrim paraqitje’ mësuesi i fizkulturës në Selenicë

08.11.2026

Parandalohet një ngjarje kriminale në Vlorë, arrestohet 34-vjeçari

08.11.2026

SPAK kërkon 2 vite burg të konvertuara në shërbim prove për Benet Beci

09.11.2026

Protesta në Tiranë, arrestohen 4 persona dhe procedohen 7 të tjerë. Njëri prej tyre mbante kanabis, mjet shpues dhe imitim arme zjarri

08.11.2026