Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër, mbi 414 mijë të punësuar
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara të martën, më 10 nëntor, nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026 në Zvicër ishin të punësuar gjithsej 414.488 punëtorë ndërkufitarë, që përfaqëson një...
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara të martën, më 10 nëntor, nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026 në Zvicër ishin të punësuar gjithsej 414.488 punëtorë ndërkufitarë, që përfaqëson një rritje prej 1,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Bëhet fjalë për persona që jetojnë në shtetet fqinje dhe udhëtojnë drejt Zvicrës për të punuar, duke qenë të pajisur me lejen e punës të kategorisë G.
Franca vazhdon të jetë vendi nga i cili vjen numri më i madh i këtyre punëtorëve. Sipas statistikave, 58,1% e tyre jetojnë në Francë, 22,3% në Itali dhe 16,3% në Gjermani, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe në kantonin Ticino, në jug të Zvicrës, ku numri i punëtorëve ndërkufitarë ka shënuar një rënie të lehtë. Në fund të shtatorit, në këtë kanton punonin 79.384 persona me leje G, ose 0,3% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i tyre në Ticino është rritur lehtë, për 0,2%.
Në nivel kombëtar, rritja më e madhe është regjistruar në rajonin e Liqenit të Gjenevës, ku numri i punëtorëve ndërkufitarë është shtuar për 3% në krahasim me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër është rritur ndjeshëm. Nga rreth 356 mijë persona në tremujorin e tretë të vitit 2021, ky numër ka arritur në mbi 414 mijë në vitin 2026, që përfaqëson një rritje prej 16,5%.
Këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë e vazhdueshme të fuqisë punëtore nga vendet fqinje për tregun zviceran të punës, megjithëse tendencat ndryshojnë ndërmjet rajoneve të vendit.
The post Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër, mbi 414 mijë të punësuar appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.