Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër, mbi 414 mijë të punësuar
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara të martën, më 10 nëntor, nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026 në Zvicër ishin të punësuar gjithsej 414.488 punëtorë ndërkufitarë, që përfaqëson një rritje prej 1,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Bëhet fjalë për persona që jetojnë në shtetet fqinje dhe udhëtojnë drejt Zvicrës për të punuar, duke qenë të pajisur me lejen e punës të kategorisë G.
Franca vazhdon të jetë vendi nga i cili vjen numri më i madh i këtyre punëtorëve. Sipas statistikave, 58,1% e tyre jetojnë në Francë, 22,3% në Itali dhe 16,3% në Gjermani, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe në kantonin Ticino, në jug të Zvicrës, ku numri i punëtorëve ndërkufitarë ka shënuar një rënie të lehtë. Në fund të shtatorit, në këtë kanton punonin 79.384 persona me leje G, ose 0,3% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i tyre në Ticino është rritur lehtë, për 0,2%.
Në nivel kombëtar, rritja më e madhe është regjistruar në rajonin e Liqenit të Gjenevës, ku numri i punëtorëve ndërkufitarë është shtuar për 3% në krahasim me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër është rritur ndjeshëm. Nga rreth 356 mijë persona në tremujorin e tretë të vitit 2021, ky numër ka arritur në mbi 414 mijë në vitin 2026, që përfaqëson një rritje prej 16,5%.
Këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë e vazhdueshme të fuqisë punëtore nga vendet fqinje për tregun zviceran të punës, megjithëse tendencat ndryshojnë ndërmjet rajoneve të vendit.
The post Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër, mbi 414 mijë të punësuar appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.